Kultura në heshtje, edhe pse ministria e tyre po u lihet komuniteteve

Aktuale

Kultura në heshtje, edhe pse ministria e tyre po u lihet komuniteteve

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 19:12
Ministria e Kulturës

VV dhe LDK, me gjasë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do ta lënë në duart e komuniteteve. Rrjedhimisht, këto fusha nuk po shihen si prioritet i Qeverisë së ardhshme që në krye të saj sipas marrëveshjes politike parasheh Albin Kurtin Kryeministër.

Derisa Kultura, e me theks të veçantë Trashëgimia kulturore ishin definuar si ndër sektorët prioritarë të Qeverive të shkuara, njëjtë nuk duket të jetë për Qeverinë në krijim mes VV-së e LDK-së.

Kjo pasi, sipas marrëveshjes, ende të pa zyrtarizuar, mes dy partive që në zgjedhjet e 6 tetorit dolën të parat, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e kanë paraparë që ta ndajnë për partitë minoritare.

Megjithatë, deri më tani për këtë veprim të krerëve të VV-së dhe LDK-së që janë duke vazhduar takimet për zyrtarizim të marrëveshjes, nuk është se ka pasur ndonjë reagim nga Komuniteti Kulturor e Artistik në vend. Ndonëse çartë shihet se Kultura nuk do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme, komuniteti kulturor në vend ka zgjedhur të heshtë ndaj këtij ‘pazari’ politik.

Vetëm një reagim ka ardhur nga ish-anëtari i Bordit të Tetarit Kombëtar, që viteve të fundit ka shërbyer si Këshilltar për Media i Kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, publicisti Halil Matoshi.

“Vërtet këtë vend e ka braktisë shpresa. Pse Ministrinë e kulturës VV e LDK ua lânë komuniteteve pakicë?”, ka shkruar ai në facebook.

“E para, pse ka fare pak bugjet e zyret i kanë mbushë ‘full’ me militantë partiakë, kushdo që e ka drejtu këtë ministri dhe e dyta, këta tipa e nënçmojnë çdo gjâ që trashëgimia njerëzore e cilëson si kulturë shpirtnore, sikur i nënçmojnë e nënvlerësojnë pakicat etnike!?”, shkruan ish-kandidati i AAK-së për deputet.

Gati dy javë para se të mësohet se Ministria e Kulturës do të drejtohet nga një ministër i ardhur nga komunitetet pakicë në Kosovë, ironikisht këtë gjë e kishte paralajmëruar profesori universitar Ismet Sijarina.

“Ministrinë e Kulturës as se paskan diskutu fare. Nuk çuditem, nëse kultura përfaqësohet vetëm ne nivel zevendes ministri, ne kuadër te ndonjë ministrie qe ju përket minoriteteve”, kishte shkruar në facebook dramaturgu kosovar, më 1 dhjetor 2019.

Atë ditë krerët e VV-së e LDK-së, Albin Kurti e Isa Mustafa, pasi ishin takuar kishin treguar për temat se kishin bashkëbiseduar, pa e radhitur Kulturën në mesin e tyre.

Ndryshe, siç ka shkruar media marrëveshja e arritur mes VV-së e LDK-së, ndonëse ende e pa shpallur në publik, parasheh që minoritetet përveç Ministrisë së Kulturës, ta marrin në drejtim edhe ketë herë Ministrinë e Kthimit.

Nuk është hera e parë që një dikaster ministror i rëndësishëm për vendin lihet në duar të minoriteve vetëm për të arritur marrëveshje politike për krimin e Qeverisë. Kështu kishin vepruar mandatin e kaluar koalicioni PDK-AAK-NISMA, që Ministrinë e Bujqësisë e kishin lënë në duar të minoriteteve. Më saktë ketë post e kishin ndarë për Listën Serbe. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat