Konjufca e mori postin që ia preferonte dikujt tjetër

Aktuale

Konjufca e mori postin që ia preferonte dikujt tjetër

Më: 26 dhjetor 2019 Në ora: 18:31
Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani

Në kohën e bisedimeve LVV – LDK për tu dakorduar për koalicionin, një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurtit, Glauk Konjufca kishte dalur me një propozim se kush do të ishte ideale që të ulej në postin e kryeparlamentarit. Muaj më vonë, situata ka ndryshuar.

Në muajin gusht të këtij viti, atëherë deputeti i LVV-së, tash kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte dalë me një propozim interesant para zgjedhjeve.

Në emisionin Pressing në T7, Konjufca deklaronte se kombinimi më i mirë për qeverisje në Kosovë do të ishte sikur Albin Kurti të ishte kryeministër e Vjosa Osmani të zgjedhej kryetare e parlamentit.

 “Albin Kurti kryeministër e Vjosa Osmani kryeparlamentare” kishte deklaruar Konjufca, duke thënë se këtë ia ka thënë edhe vetë Osmanit.

“Nuk më ka ardhur turp të ia them këtë kolegëve, madje edhe Vjosa Osmanit. Gjithmonë i kam thënë, Vjosë: ‘je ideale për kryetare të parlamentit’. Është një kombinim ideal. Albini me guximin e tij, por një Vjosa Osmani e cila ulet lartë dhe e merr në pyetje Albin Kurtin e ia tregon atij kornizat e parlamentarizmit. E këta të dy bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Tandemi më i fuqishëm në politikën e Kosovës”, kishte thënë ai.

Mirëpo, muaj më vonë situata të cilën e kishte parashikuar Konjufca ka ndryshuar. Në fakt posti, për të cilën ai thoshte se është ideal për Osmanin, është po ai në të cilën është emëruar ai sot me propozim të kreut të partisë, Albin Kurtit.

Konjufca ka arritur që t’i sigurojë votat e nevojshme pas nominimit, derisa, ka folur edhe për herë të parë në rolin e kreut të kuvendit, para deputetëve.

Kryeparlamentari Konjufca ditë më parë kishte deklaruar se Osmani do të ishte e pranueshme nëse do të propozohej nga LDK-ja për presidente, deklaratë kjo që mori disa reagime nga partia e Isa Mustafës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat