Zyrtare: Vetëvendosje merr këtë vendim pas kërcënimit ndaj Albin Kurtit

Aktuale

Zyrtare: Vetëvendosje merr këtë vendim pas kërcënimit ndaj Albin Kurtit

Nga: D.RR Më: 28 dhjetor 2019 Në ora: 22:43
Albin Kurti dhe Haxhi Hoti

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate ka njoftuar publikun se përfaqësuesi i tyre ligjor, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë për Haxhi Hotin, i cili kërcënoi Albin Kurtin me vrasje.

Vetëvendosje thotë se ende nuk e dinë se a ishte ai kërcënim i porositur nga dikush.

Ata në komunikatë kanë theksuar se personi në fjalë, është adhurues i madh i presidentit të Republikës së Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Gjuha e krimit nuk ka vend në politikë

Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë.

Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes së Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.

Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës.

Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.

I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.

Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat