ECFR: Vështirë të përparojë dialogu Kosovë-Serbi nëse BE nuk ua premton anëtarësimin

Aktuale

ECFR: Vështirë të përparojë dialogu Kosovë-Serbi nëse BE nuk ua premton anëtarësimin

Më: 9 janar 2020 Në ora: 11:29
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

ECFR (European Council on Foreing Relations), ka publikuar një raport të gjatë rreth asaj se pse anëtarësimi në Bashkimin Evropian ia vlen ende për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një raport i tillë është publikuar pas zhvillimeve brenda BE’së në pjesën e fundit të vitit 2019, ku Franca bllokoi hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Shumë njohës të rrethanave në Ballkanin Perëndimor kanë thënë se një qëndrim i tillë i Francës së Macronit do të afektojë negativisht edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një konstatim i tillë është nxjerrë edhe në publikimin e fundit të ECFR, ku thuhet se është e vështirë që të pritet përparim në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit nëse dy vendeve nuk iu premtohet anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Është vështirë të imagjinohet përparim në negociatat Beograd-Prishtinë pa premtim për anëtarësim në Bashkim Evropian”, thuhet në raport, shkruan Gazeta Express.

Sipas ECFR një premtim do të nxiste më shumë Serbinë, ndërkohë nuk përjashtojnë se një premtim i tillë është i rëndësishëm edhe për Kosovën edhe përkundër se gjendet në një perspektivë tjetër dhe pak më larg anëtarësimit.

“ Liberalizimi i vizave dhe rritja e fondeve nga BE’ja mund të jenë veprimet direkte për të nxitur Kosovën, përderisa motivimi kryesor për Kosovën është për të fituar njohje të plotë si shtet sovran me një ulëse në Kombet e Bashkuara”, thuhet ndër të tjera.

Në raport gjithashtu theksohet fakti se negociatat ndërmjet dy shteteve nuk kanë shkuar si duhet, dhe sipas ECFR pa premtimin për anëtarësim , Serbia nuk ka gjasa që të jetë më bashkëpunuese se sa që është tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat