GLPS: “Pronto” paraqet dështimin e sistemit të drejtësisë

Aktuale

GLPS: “Pronto” paraqet dështimin e sistemit të drejtësisë

Më: 9 janar 2020 Në ora: 12:34
Foto

(E plotësuar) - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në një konferencë për medie me temën “Si dështuan institucionet në trajtimin e rastit “Pronto” – Një reflektim mbi procesin në tërësi”, trajtimin e këtij rasti e kanë vlerësuar si dështim të sistemit të drejtësisë, pasi që procesi gjyqësor konsiderojnë se ka shkuar me shumë shkelje ligjore dhe procedurale.

Rreze Hoxha nga GLSP, tha se mënyra e trajtimit të rastit “Pronto”, paraqet dështimin më të madh te sistemit të drejtësisë në vitin e kaluar, e me theks të veçantë atë prokurorial, i cili ka dështuar në ndjekjen e krimit dhe përfaqësimin e interesit publik me anë të të cilës nuk janë ndëshkuar dukuri si nepotizmi, korrupsioni, punësimet partiake.

Sipas saj, rasti i ashtuquajtur “Pronto”, shkaktoi shqetësim të madh në publik pasi për herë të parë në Kosovë, përmes mediave janë zbuluar dhe publikuar veprimet dhe metodat e punësimit të disa individëve nëpër pozita shtetërore, nga ndërhyrjet partiake të funksionarëve të lartë publik e partiak.

Analiza e GLPS-së ka nxjerr në pah se Prokuroria Speciale të akuzuarit i ka ngarkuar me veprën penale për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve në vend të kryerjes së veprës penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Hoxha: Prokuroria ka tentuar shtrimin e ndikimit politik të të pandehurve duke vepruar në prapaskenë

“Duhet cekur se aktakuza akuzonte të pandehurit që të njëjtin kanë tentuar krijimin e privilegjeve apo përparësive për disa persona të caktuar mbi bazën e përkatësisë politike, si dhe kanë mohuar të drejtat e personave tjerë që kanë konkurruar për pozitat e caktuara në konkurset e lartë cekura. Pra me anë të kësaj aktakuze Prokuroria Speciale ka tentuar të provoj kryerjen e veprës penale të shtrimit të ndikimit politik të të pandehurve duke vepruar nga prapaskena duke i akuzuarit të pandehurit për shkeljen e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës dhe jo kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, tha Hoxha.

Rreze Hoxha nga GLSP-së, theksoi nevojën për reformën e vetingut në të gjitha institucionet e shtetit të së drejtës.

Kurse, Leutrim Himaj tha se në bazë të analizës së bërë nga GLPS, del se aktakuza e rastit “Pronto”, është e mangët në aspektin subjektiv ngaqë nuk ka përfshirë të gjithë personat qe janë pjesë e përgjimeve.

Derisa i ka përmendur një sërë shkeljesh ligjore dhe procedurale të Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore të Prishtinës, Himaj tha se edhe pse barra për mos ndëshkim të këtij krimi i bie Prokurorisë, gjykatat kanë dështuar të luajnë rolin në kujdesin e mbarëvajtjes së procedurës ligjore në përputhje me dispozitat ligjore.

Himaj: Prokuroria një pjesë të përgjimeve e ka vlerësuar si të parëndësishme

“Prokuroria Speciale një pjesë të përgjimeve i ka konsideruar irelevante dhe në këtë mënyrë e ka kufizuar ndjekjen penale të kësaj karshi të gjithë personave që janë përfshirë në përgjimet  e klanit “Pronto”. Së dyti Prokuroria nuk ka përcaktuar palën e dëmtuar në këtë rast, veprim ky i cili numërohet si dështim i radhës i Prokurorisë Speciale në trajtimin e rastit...Së treti Prokuroria ka dështuar të propozoj dëshmitarët fillimisht në aktakuzë si dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të rastit. Së katërti në fjalën hyrëse Prokuroria nuk ka elaboruar provat me anë të të cilave e mbështetë aktakuzën e saj, por gjithnjë gjatë dhënies së kësaj fjale ka treguar për dukurinë e punësimeve partiake politike dhe ndikimet e klanit “Pronto në ato punësime”, tha Himaj. 

Kujtojmë që më 3 janar 2020 Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e rastit “Pronto”.Sipas kësaj gjykate, nuk ka prova të mjaftueshme. Në muajin prill të vitit 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë për rastin e ashtuquajtur “Pronto”. Aktakuza ka trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve të bazuara në përkatësi partiake dhe raporte personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat