Autoritetet e drejtësisë në vend kanë marrë vendim që Haxhi Hoti, i cili javë më parë përmes një shkrimi në Facebook ka kërcënuar Albin Kurtin, të kthehet përsëri në paraburgim.
Zëdhënës i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari, për mediat vendore tha se ai është ndaluar në arrest për 30 ditë pasi Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Shtetit që t’a shfuqizojë masën e sigurisë që Gjykata Themelore e Prishtinës ndërmori javën që shkoi ndaj Hotit.
“Është aprovuar ankesa e prokurorisë, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Të pandehurit në fjalë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, ka deklaruar Jashari.
Mirëpo, ndonëse është marrë ky vendim, Hoti ende nuk është arrestuar. Madje, zyrtari i NISMA-s po merret me postime në Facebook.
“Nga Brigjet e Ratkocit”, është fotografia që ai ka postuar në profilin e tij.
Ndryshe, ish-kandidati për deputet i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës, kishte thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.