Frashër Krasniqi thotë se rasti “Dehari” po keqpërdoret nga VV-ja për interesa politike

Aktuale

Frashër Krasniqi thotë se rasti “Dehari” po keqpërdoret nga VV-ja për interesa politike

Më: 10 janar 2020 Në ora: 00:34
Frashër Krasniqi

Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Frashër Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke e përdorur për qëllime të saja politike rastin e Astrit Deharit.

Ai ka thënë se zhvillim i ri në këtë rast ishte raporti i ri i ekspertizës nga Instituti zviceran, por se sipas tij, i njëjti po vazhdon të keqpërdoret në aspektin politik.

“Nëse ata do ta kishin seriozisht zbardhjen e këtij rasti atëherë nuk do të kishte hapësira për keqpërdorim politik. Ka pasur zhvillime jo të mira sidomos për neve që e kemi pas shok dhe për gjithë qytetarët. Padrejtësia për mbajtjen e Astritit është konfirmu edhe me lirimin tonë”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se ky rast po keqpërdoret edhe tash ashtu siç u keqpërdor nga politikanët e mëhershëm, duke shtuar se kjo po bëhet për politika ditore.

Krasniqi thotë se pret një vendim objektiv përfundimtar të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë.

“Unë nuk e marrë të drejtën të jap një verdikt edhe nëse me konvenon politikisht. Unë pres me pas një hetim objektiv e vendimtar. Nuk di çfarë të them për hetimin e ri se nuk e di në çfarë baza është duke u zhvilluar. Pres që institucionet me zgjidh këtë çështje. Jemi duke pritë institucione që kanë thënë se do ta qojnë deri në fund. Duke i parë shenjat e para të transformimit nuk pres që kanë me zbardh rastin, megjithëse kisha pas dëshirë të merren në mënyrë serioze”, ka thënë ai.

Krasniqi thotë se nuk e ka njohur askënd në qelinë e Deharit.

“Në vitin 2016 pushteti i atëhershëm e ka montuar një rast politik që i ka futur në burg 6 presona të pafajshëm. Ai pushtet e ka mbajtur në burg Astritin pa asnjë provë dhe ai ka vdekur në burg. Këtu është pika e parë që pushteti duhet të marrë përgjegjësi. Pavarësisht a është vrarë a çka ka ndodhur aty ai ka qenë duke u mbajtur pa faj”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rastin e Astrit nuk i jep të drejtë vetës të flet diçka pa pasur raport apo hetime që i përgjigjen në mënyrë të denjë këtij rasti.

Krasniqi thotë se kur ka pasur akuza nga PDK-ja se kinse ata kishin gisht në “vetëvrasjen” e Astrit Deharit, ai thotë se këtë e kishin pritur, por se për të më shqetësuese është kur argumentet e pushtetit të kaluar po i përdor ky i ardhshmi.

Ai thotë se Kurti nuk ka guxuar të i vizitojë as në arrest shtëpiak jo më në burg sepse nuk kanë dashur të krijojnë asnjë lidhje me aktivistët e arrestuar.

Sipas tij, është e padrejtë kur një nga personat që sot propozohet për zëvendëskryeministër del edhe flet në emër të Astritit, derisa i njëjti i kishte akuzuar ata.

“Një njëri dallavergji, një njeri i paskrupullt kur ne ishim duke bërë protesta ai ka vjedhur fonde. Kushdo që e njeh Haki Abazin e din çfarë mashtruesi është. Ai as nuk e ka ditë kush është Astriti dhe sot del fol për Astritin, çfarë sinjali është kur një zëvendëskryeministër flet në emër të Prokurorisë. Kjo është një shenjë për mua se çfarë pushteti po vjen”, ka thënë ai.

Sipas tij, ata janë duke e përdorur rastin Dehari për nevoja politike

“Ata as nuk e kanë dashtë e as nuk e kanë njohur, nuk kanë dashur drejtësi për të, por e kanë përdorë për nevoja politike”, ka thënë ai, duke shtuar se po veprojnë njëjtë sikur LDK-ja e cila i ka përdorur personat e vrarë pas luftës vetëm për politikë.

Krasniqi ka thënë se pret të dalë në pah e vërteta, duke shtuar se nëse ka vullnet pushteti i ri do të zbardhet.

Ai thotë se secila pikë në të cilën janë dënuar është shpallur e pavlefshme nga Gjykata e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat