Deputeti i Nismës deklarohet për koalicionin VV-LDK, jep lajmin e keq

Aktuale

Deputeti i Nismës deklarohet për koalicionin VV-LDK, jep lajmin e keq

Më: 12 janar 2020 Në ora: 16:25
Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala thotë se dy partitë që po synojnë formimin e institucioneve, janë duke vrapuar pas pozitave të individëve, e jo për të mirën e Kosovës. Sipas tij, kjo marrëveshje nuk do të arrihet.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës,  që dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, janë duke u vonuar në formimin e institucioneve.

“Siç po shihen deri më tani këto dy parti jo vetëm me elektoratin, tërë Kosovën e kanë gënjyer me premtimet e veta, sepse po vjen një qeverisje e “shpresës”. Ku po shihet se nga qeverisja e “shpresës” nuk ka asgjë tjetër veç se të dyja partitë janë duke vrapuar pas pozicioneve për individë dhe ka mbetur këtu ku ka mbet Kosova. Duhet që sa më shpejt të dy partitë t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të krijojnë institucionet”, thotë ai.

Sipas tij, Kosovën e presin zhvillime me shumë vështirësi, si anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe zhvillime në vend, kështu që të dyja partitë, LVV e LDK janë duke u vonuar në formimin e institucioneve të vendit, pavarësisht se kanë marrë besimin e qytetarëve.

Ai thotë se kjo marrëveshje nuk do të arrihet.

“Unë mendoj që nuk do të ketë marrëveshje brenda këtyre dy partive, sepse dy partitë nuk janë duke i besuar njëra-tjetrës dhe janë vetëm duke e shtyer sot për nesër. Por edhe Kurti nuk është i gatshëm që të merr këtë qeverisje në këtë situatë të vendit”, shton ai.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re, ani pse me vështirësi ka siguruar gjashtë ulëse në Kuvendin e Kosovës./Sh.Pajaziti/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat