Pas deklaratës së Isa Mustafës për koalicionin, flet Albulena Haxhiu

Aktuale

Pas deklaratës së Isa Mustafës për koalicionin, flet Albulena Haxhiu

Më: 13 janar 2020 Në ora: 18:00
Albulena Haxhiu

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, edhe pas tre muajve nga mbajtja e zgjedhjeve, ende nuk kanë arritur të bien dakord rreth marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Albin Kurti nga LVV-ja dhe Isa Mustafa nga LDK-ja, kanë vazhduar me takimet e tyre për t’u dakorduar për marrëveshje, por këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat pozitiv.

Mustafa sot pati takim me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, ku pas këtij takimi para mediave deklaroi se zgjidhjen për formimin e institucioneve të vendit e japin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Zgjidhjen e japin ata, jo ne”, u shpreh shkurt lideri i LDK-së.

Lidhur me këtë deklaratë të Mustafës, ka folur anëtarja e kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se janë shumë të interesuar të kenë koalicion me LDK-në, por se nuk kanë garancë që kjo do të ndodhë.

“Ne jemi shumë të interesuar të kemi koalicion me LDK-në. Do te punojmë shumë në këtë drejtim por nuk kemi garancë se kjo do të ndodhë. Garanca është vetëm përkushtimi jonë për jetësimin e vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se i kanë bërë propozim LDK-së dhe se kanë pritje për këtë.

“Siç kemi thënë publikisht, ne i kemi bërë propozim LDK-së, presim mbledhjen e Këshillit Drejtues për propozimin tonë, siç kanë thënë”, u shpreh Haxhiu.

E pyetur se a do të ketë gjatë kësaj jave takim të Kurtit dhe Mustafës, Haxhiu nuk ka dhënë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat