Në LDK kundërshtohej marrëveshja pa asnjë post të lartë, me premtim të vetëm postin e presidentit

Aktuale

Në LDK kundërshtohej marrëveshja pa asnjë post të lartë, me premtim të vetëm postin e presidentit

Më: 14 janar 2020 Në ora: 19:34
LDK

Besnik Bislimi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka publikuar sonte ofertën e fundit që kjo parti i ka bërë LDK-së për formimin e qeverisë. Ka konfirmuar edhe raportimet për rritjen e qeverisë nga 12 ministri në 14.

Ai ka thënë se kjo ofertë i është dërguar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, mbrëmë. Sipas tij, në përpilimin e këtij propozimi, “Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për ta rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton assesi) vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh”.

Një ofertë pak a shumë e ngjashme me këtë të sotit kishte qarkulluar edhe para një javë, kur pati ndodh takimi i fundit Kurti-Mustafa. Atëherë u përmend kërkesa e LDK-së që t’i kishte 6 ministri e VV-ja katër, pa e rritur numrin e ministrive.

Megjithatë, burime brenda LDK-së, thonë se kundërshtimi më i madh vjen për shkak të mosmarrjes së asnjë pozite të lartë shtetërore, me vetëm një zotim të zbehtë për mbështetje në zgjedhjen e presidentit nga ana e LDK-së, gjë që është vështirë e realizueshme, pasi që presidentin mund ta zgjedh vetëm opozita, nëse ia bëjnë kuorumin, jo pozita.

Për grupin e Agim Veliut kjo ofertë thuhet se është tërësisht e papranueshme, pasi që po LDK-ja po mbetet pa kryeparlamentar, pa kryeministër dhe me një premtim për president.

Një ministri më shumë dhe me dy zëvendëskryeministra, të parin LDK-ja e të dytin VV-ja, po vlerësohet tërësisht si marrëveshje e pabalancuar në LDK.

Tash topi është te LDK-ja, e cila duhet t’i përgjigjet përfundimisht VV-së nëse e pranon këtë ofertë apo jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat