Arbër Zaimi, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh këshilltar i kreut të partisë, Albin Kurti, ka thënë se ndarja e barabartë e përgjegjësive qeveritare LDK-së po i duket pak.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “tash është momenti përfundimtar të kuptohet nga pala tjetër se a kanë me të vërtetë dëshirë për koalicion të ndryshimit, apo janë kundër tij”.
Postimi i plotë:
LDK-ja doli e dyta në zgjedhje, megjithatë ndarja e barabartë e përgjegjësive qeveritare po i duket pak. Nuk po e diskutojmë më se a është e drejtë a e padrejtë kjo, por me dëshirën e fortë për ta bërë koalicionin, Lëvizja VETËVENDOSJE! po i ofron LDK-së të marrë edhe një ministri më shumë. Pra, edhe pse e dyta në rezultate, të kontrollojë pjesën më të madhe të qeverisë.
Ne kemi qenë vazhdimisht të sinqertë në ofertat tona për bashkëpunim. Tash është momenti përfundimtar të kuptohet nga pala tjetër se a kanë me të vërtetë dëshirë për koalicion të ndryshimit, apo janë kundër tij.