Nëna me dy vajzat pranojnë fajësinë, thonë se në Siri shkuan për t’u shërbyer burrave të tyre

Aktuale

Nëna me dy vajzat pranojnë fajësinë, thonë se në Siri shkuan për t’u shërbyer burrave të tyre

Më: 15 janar 2020 Në ora: 14:52
Foto

Nëna Shyhrete Tafaj, së bashku me dy vajzat e saj, Meke Tafaj dhe Valdete Tafaj-Daçaj, e kanë pranuar fajësinë për vepra penale që lidhen me terrorizmin.

Tri të akuzuarat, janë deklaruar fajtore për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist, në seancën fillestare që është mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinw.

Në këtë seancë, të akuzuarat kanë deklaruar se nuk kanë qenë në dijeni se në Siri po zhvillohej luftë, por që sipas tyre, atje kanë shkuar për t’u shërbyer burrave të tyre.

Prokurorja speciale Merita Bina-Rugova ka deklaruar se konsideron që pranimi i fajësisë është bërë me vullnet të lirë dhe si i tillë duhet të pranohet.

Edhe mbrojtëset e të akuzuarave, për Meke Tafaj, avokatja Besmira Hoti, për Valdete Tafaj-Daçaj, avokatja Vjosa Bytyqi dhe për Shyhrete Tafaj, avokatja Bedrie Rexhepi, e kanë mbështetur pranimin e fajësisë nga ana e të mbrojturave të tyre dhe kanë kërkuar që pranimi i fajësisë të merret si rrethanë lehtësuese.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykatësja Albina Shabani-Rama, ka njoftuar që shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 17 janar 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 dhjetor 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Meke Tafaj, Valdete Tafaj-Daçaj dhe Shyhrete Tafaj, akuzohen se me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi që bashkëshorti i të akuzuarës, Meke Tafaj, i akuzuari Ramiz Kastrati kishte qenë në Siri dhe ishte kthyer për një kohë të shkurtër, e gjithë familja ka vendosur t’i bashkohet luftës në “Shtetin Islamik”.

Sipas aktakuzës, Valdete Tafaj-Daçaj, me bashkëshortin e saj, Kujtim Daçaj dhe vajzën e vogël, më 5 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë shkuar në Shkup, nga ku kanë udhëtuar fillimisht në Turqi, e më pas në Siri.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Shyhrete Tafaj, nëna e dy të akuzuarave Valdete dhe Meke Tafaj, më 21 shtator 2015, së bashku me dy djem të saj, përmes aeroportit të Prishtinës kanë shkuar në Turqi dhe pastaj Siri.

Sipas aktakuzës, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga ISIS-i, u kanë ofruar shërbime logjistike meshkujve të familjes, të cilët aktivisht kanë luftuar, derisa ISIS ka pësuar disfatë dhe kanë qenë të detyruar të dorëzohen tek forcat kurdë, e që më pas me ndihmën e ushtrisë amerikane, janë kthyer në Kosovë, më 24 maj 2019.

Me këtë, secila veç e veç, ngarkohen me veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat