Selmanaj zbulon qëllimin e Vetëvendosjes

Aktuale

Selmanaj zbulon qëllimin e Vetëvendosjes

Më: 16 janar 2020 Në ora: 00:01
Driton Selmanaj

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, ka thënë se Vetëvendosje po dëshiron pushtet absolut në Kosovë, përfshirë edhe postin e presidentit, që po kërkohet nga LDK-ja.

Sipas tij, refuzimi i VV-së që të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit, qoftë edhe për një vit sipas ofertës së LDK-së, tregon se kjo parti po dëshiron të udhëheqë me të gjitha postet kryesore në vend.

Ai ka thënë se Vetëvendosje ka bërë vazhdimisht përpjekje që të mos lejojë LDK-në të marrë postin e presidentit.

Selmanaj e ka quajtur pazar ofertën e VV-së që të rritet numri i ministrive vetëm që të mos heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit. Ai ka thënë se me këtë po kopjohen qeveritë e shkuara.

“Idetë për të rritur numrin e ministrive, apo për të hyrë në pazare të tilla kam përshtypjen se po kopjojmë qeveritë e shkuara. Për neve është joserioze kjo ofertë sepse nuk mendojmë se me numrin e ministrave pushteti balancohet. Për ne ka një fitues relativ të zgjedhjeve. S’ka absolut. Fituesi relativ s’mund të ketë pushtet absolut, por të balancuar. Këtë po e kërkojmë. Ka tendencë VV-ja të një rrëshqitje drejt një pushteti absolut. Sepse e merr kryeministrin, kryeparlamentarin thotë se nuk e preki se e kemi zgjedh e për presidentin thotë se duhet të shteren të gjitha mundësitë për kandidatin konsensual e pastaj LDK-ja jep propozim e më pas shkon te VV-ja, e tash doli që nëse nuk zgjidhet presidenti nga VV-ja na japin edhe një ministri. Do të thotë ata e duan edhe presidentin. Kjo tregon tendencë të tillë e do të thotë LDK-ja do të ishte aksesor, pjesë përbërëse por jo e rëndësishme. Përpjekja e VV-së është që të mos i takojë presidenti LDK-së. Ka përpjekje që institucionet politike t’i depolitizojmë, por kështu nuk shkon”, ka thënë ai.

Sipas tij, publikimi i ofertës së LDK-së përmes rrjeteve sociale, duke i kërkuar postin e kryeparlamentarit deri në zgjedhjen e presidentit, e që sipas ofertës, duhet të jetë propozim i LDK-së, u bë me qëllimin që t’i përgjigjet politikës së njëjtë që bëri VV-ja me publikimin e ofertave.

“Sot vendosëm ta bëjmë publike, përndryshe oferta ishte më 8 janar. Tash besoj e keni kuptuar se kultura politike e LDK-së ka qenë që çështjet që diskutohen në tavolinë të mos bëhen përmes rrjeteve sociale. Kjo s’ishte oferta e parë. Prej certifikimit të rezultateve, ka pas numër të madh të ideve se si mund të ecim tutje. Madje me kërkesë të VV-së kemi vendosur që të gjitha të mbesin në konfidencë, por ata vendosën diçka tjetër. Njëanshëm vendosën që partneritetin me LDK-në ta ndërtojnë duke tentuar përmes studiove televizive ta bijnë në pozitë të dëmshme LDK-në. Duke nxjerrë nganjëherë edhe të pavërteta. Ata kishin vendosur ashtu. Ne si LDK deri vonë, ndoshta deri sot patëm vendosur që këto çështje të mos jenë objekt i trajtimit në media. Edhe sot mendojmë se ka hapësirë për negocim por sot vendosëm ta publikojmë pas tyre. Kjo është oferta më gjeneroze që LDK-ja ka pasur që nga fillimi i negociatave e për LDK-në kjo duhet të pranohet. S’ka arsye të mos pranohet”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat