Hoti: Me ofertën e fundit kemi bërë kompromise, nuk lëvizim nga ajo

Aktuale

Hoti: Me ofertën e fundit kemi bërë kompromise, nuk lëvizim nga ajo

Më: 16 janar 2020 Në ora: 15:52
Avdullah Hoti

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se me ofertën e fundit që i kanë bërë Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë kompromisin më të madh në negociatat për koalicionin qeverisës. Prandaj u shpreh se ata nuk do të lëvizin në asnjë moment nga qëndrimet se iu takon për një vit posti i kryeparlamentarit, pesë ministri dhe zotimi për emërimin e presidentit pas një viti.

Ish shefi i grupit parlamentar të LDK-së, thotë se asnjëherë nuk kanë kushtëzuar formimin e institucioneve, pasi sipas tij, oferta e tyre është vetëm për balancim të pushtetit.

Hoti: Nuk lëvizim nga oferta e fundit e jona

“Unë besoj që është në interes të shtetit të Kosovës edhe në interes të Vetëvendosjes që sa më parë të themelohen institucionet duke respektuar këtë ofertë që e ka bërë LDK. Merr parasysh edhe fuqitë politike edhe i balancon përgjegjësitë që është e shëndetshme për demokracinë në Kosovë... nuk ka asnjë logjik që lëvizin nga ato pika”, thotë ai. 

Hoti thotë se nëse pranohet oferta e tyre, Vetëvendosje për tri vite do t’i ketë dy pozita shtetërore, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin.

Hoti: Kemi bërë kompromis, pas 1 viti VV do t’i ketë dy pozita të larta

“Ne kemi lëvizur pas datës 26 dhjetor edhe me datën 8 janar kemi bërë këtë lëvizje. Ne kemi bërë një kompromis tjetër. Kemi hequr dorë nga 4 vite për të mbajtur gjithë mandatin e kryetarit të Kuvendit. Kemi kërkuar që vitin e parë LDK të ketë njërën nga tri pozitat e larta shtetërore. E pozitat e larta është kryeministri, kryetari i Kuvendit dhe presidenti. Gjatë kësaj periudhe janë dy pozita të larta shtetërore që mund t’i ketë ky koalicion qeverisës. Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. Mandej në tri vitet e tjera ne kemi shpreh gatishmëri që të kthejmë pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe në tri vitet tjera, VV do të ketë dy pozitat e larta shtetërore. LDK do të ketë kandidatin që e ka propozuar për president, i cili kur zgjidhet zhveshët nga petku politik. Kryeministri gjatë gjithë kohës nuk zhveshët nga petku politik, as kryetari i Kuvendit”, thotë ai.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti për KosovaPress, flet edhe për kryetarin e tanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufcën. Sipas tij, ai nuk mund të bëhet peng i marrëveshjes për bashkëqeverisje mes dy partive. Derisa thotë  se është çështje e Vetëvendosjes se si mund të akomodohet Konjufca pas largimit nga posti i kryeparlamentarit. 

Hoti: Është çështje e tyre si e akomodojnë Glauk Konjufcën

“Është çështje e tyre se si i zgjedhin punët brenda partisë, se si akomodojnë edhe zotëri Konjufca edhe të tjerët. Është politikë e tyre e brendshme partiake. Ne kemi ofruar një mundësi se si duhet të punojmë bashkë me VV-në në krijimin e institucioneve të reja. Tash ne nuk mundemi të mbesin peng i një qasje që ka përdorur gjatë kësaj periudhe LVV-ja. Zgjedhja zotëri Konjufca në krye të Kuvendit edhe tash proklamimi i faktit se kjo është e kryer është një politikë e aktit të kryer”, thotë ai.

Hoti thotë se gjitha kërkesat e tyre i kanë pasur racionale, pasi kanë mundur të kërkojnë edhe postin e kryeministrit.

Hoti: Nuk kemi kushtëzuar themelimin e institucioneve

“Është përgjegjësi e tyre që të gjejnë formulat për ndërtimin e institucioneve. Ne absolutisht nuk mund të interpretoj askush se kemi kushtëzuar themelimin e institucioneve të reja me kërkesa që janë jo racionale. Kërkesë jo racionale, le të themi do të ishte, të kërkojmë postin e kryeministrit”, u shpreh Hoti.

Edhe pse kanë kaluar mbi 100 ditë nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosova ende nuk ka qeverinë e themeluar. Pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin të merret vesh me partinë e dytë, Lidhjen Demokratike për formimin e koalicionin qeverisës. Në këtë fillim vit pas tri takimeve të njëpasnjëshme mes dy krerëve të partive, u propozuan oferta dhe kundër oferta karshi njëra tjetrës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi të rriten ministritë nga 12 në 14 sosh, ku LDK-së do t’i takonin 6 ministri dhe zotimi për president. Por në një formë u refuzua nga kjo e fundit, ku i paraqiti ofertën e re partisë fituese, në të cilën thuhet se LDK merr postin e kryeparlamentarit për një vit, pesë ministri dhe zotimin për postin e presidentit pas një viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat