Juristi i VV-së tregon pse koalicioni me LDK-në mund të bëhet pa e “ngucë” kryekuvendarin

Aktuale

Juristi i VV-së tregon pse koalicioni me LDK-në mund të bëhet pa e “ngucë” kryekuvendarin

Nga: A.ZH Më: 16 janar 2020 Në ora: 17:09
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Juristi nga Lëvizja Vetëvendosje Getoar Mjeku, ka thënë se marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje, mund të arrihet pa e prekur postin e kryeparlamentarit të Kosovës.

Ai ka thënë se kryetari e nënkryetarët e legjislaturës në Kosovë, nuk bën të shkarkohen e të ndërrohen lehtë.

Mjeku ka kujtuar rastin e 2018-tës kur Gjykata Kushtetuese e pati lënë në detyrë nënkryetaren Aida Dërguti, duke vlerësuar se Kuvendi nuk detyrohej ta shkarkonte ani pse ajo nuk përfaqësonte më subjektin që e kishte propozu për nënkryetare, përcjell Bota sot.

“Në rastin tonë, pazari me kreun e parlamentit rrezikon me faktorizu ligën e shtetkapësve PANAL, që tok njehin 53 deputetë. Kështu Panali ka fuqi të vetos kur zgjedhen a shkarkohen kryesia e Kuvendit dhe kryetari i Republikës”, ka shkruar Mjeku në një postim në Facebook.

Postimi i plotë i Mjekut:

Kryesia e Kuvendit parimisht zgjedhet për të shërby deri kur t'u soset mandati të gjithë deputetëve. Kryetari e nënkryetarët e legjislaturës kosovare nuk bën të shkarkohen e të ndërrohen lehtë.

Më 2018, Gjykata Kushtetuese pat lënë në detyrë nënkryetaren Aida Dërguti, duke vlerësu se Kuvendi nuk detyrohej ta shkarkonte ani pse ajo nuk përfaqësonte ma subjektin që e kishte propozu për nënkryetare (KO84/18).

Për ta shkarku kryeparlamentarin, kushtetuta lyp me qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve (neni 67.5). Kjo dispozitë arsyeton pritshmërinë se kryeparlamentari caktohet për të shërby deri në fund, dhe nuk shkarkohet pa ndonjë shkas detyrues. Për pritshmërinë e qytetarëve rreth kohëzgjatjes së shërbimit ka folë gjykata jonë kur ka hedhë poshtë propozim-amendamentet kushtetuese që do t'ia shkurtonin mandatin presidentes Jahjaga (KO48/12).

Ka juristë që kryesinë e Kuvendit e ndajnë nga marrëveshja për qeverisje, duke marrë për shembull traditën e demokracive parlamentare në Evropë. Me fjalë të tjera, koalicioni mund të bëhet pa e ngucë kryekuvendarin. Dhe këtë mund ta kuptojë kollaj kushdo që ka vullnetin për ta jetësu ndryshimin e madh që kërkon populli i Dardanisë.

Por detyrat kur caktohen nuk bëhen trambë pa trazim. Në rastin tonë, pazari me kreun e parlamentit rrezikon me faktorizu ligën e shtetkapësve PANAL, që tok njehin 53 deputetë. Kështu Panali ka fuqi të vetos kur zgjedhen a shkarkohen kryesia e Kuvendit dhe kryetari i Republikës.

Kurse Kosovës tani i vyn një udhëheqje e mbarë — një që e shkap shtetin dhe i qet njëherë e mirë prej loje mujsharët dhe zhvatësit e popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat