Kërkesa e Thaçit për mandatarin drejtuar Kushtetueses mund të hidhet poshtë

Aktuale

Kërkesa e Thaçit për mandatarin drejtuar Kushtetueses mund të hidhet poshtë

Më: 16 janar 2020 Në ora: 22:54
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

E pavend është duke u konsideruar nga njohës të Kushtetutës, iniciativa e paralajmëruar nga presidenti se mund t’i drejtohet Gjykatës për sqarime rreth afatit se kur duhet të pranojë propozimin për mandatarin e Qeverisë.

E gjithë kjo, pasi në Kushtetutë është e specifikuar se për çfarë presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Neni 113 i saj përcakton se presidenti mund të ngritë çështje në Kushtetuese lidhur me përputhshmërinë e ligjeve, të dekreteve e rregulloreve të Qeverisë, e ndër të tjera edhe për konfliktin mes kompetencave kushtetuese, raporton ktv.

Gjykata Kushtetuese, bazuar në këtë nen, disa herë ka hedhur poshtë çështje të ngritura nga presidenti, siç është ajo për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor.

Në arsyetimin e Kushtetueses, në dhjetor të 2018-s thuhej se, “gjykata nuk merret me interpretime për çështje që lidhen me veprimet ose mosveprimet juridike të institucioneve kushtetuese, për të cilat nuk është e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetueses”.

Sipas Yll Zekajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kërkesa eventuale e Thaçit nuk do ta zhbllokonte situatën me mandatarin e Qeverisë.

Për propozimin e mandatarit nga Lëvizja Vetëvendosje, Hashim Thaçi, i kishte dhënë afat kësaj të fundit 48 orë, afat ky i cili nuk është marrë parasysh.

Kryetari i saj, Albin Kurti, disa herë ka deklaruar se propozimin për kryeministër do t’ia dërgojë Thaçit kur të jetë gati dhe të arrijë marrëveshje me LDK-në, sepse, sipas Kushtetutës, nuk ka afat për këtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat