Nagavci zbulon çka i propozoi VV-ja, LDK-së për postin e presidentit

Aktuale

Nagavci zbulon çka i propozoi VV-ja, LDK-së për postin e presidentit

Më: 17 janar 2020 Në ora: 00:01
Arbërie Nagavci

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci ka thënë se çështja e presidentit është çështje që bënë pjesë në lëshimet që VV-ja bëri për të arritur marrëveshje me LDK-në.

Ajo tutje në Interaktiv të KTV-së ka deklaruar se propozim i Vetëvendosjes ishte që të shkarkohet presidenti aktual, Hashim Thaçi, derisa shton se një gjë e tillë duket se ju ka penguar LDK-së.

“Edhe në atë kohë ne kemi thënë që janë zgjedhje parlamentare dhe se qytetarët kanë votuar për Qeverinë e Kuvendin, pastaj mund të vendosim për kandidatin më të përshtatshëm për president. Nuk ka pas ndonjë përpjekje tjetër që do të na ofronte zgjidhjen. Është e pakuptimtë të vendosën çështje që na largojnë nga pajtueshmëria. Për çështjen e presidentit ne kemi bërë një lëshim. Ne kemi kërkuar që bashkërisht të angazhohemi të shkarkojmë presidentin aktual. Angazhimi jonë është që të shohim të gjitha dokumentet dhe t’i shohim të gjitha mundësitë që ta dërgojmë në Kushtetuese në mënyrë që të shkarkohet. Sikur LDK-së t’i ketë penguar e si duket ju ka penguar, do të ishte e sinqertë që të thuhej që nuk e pranojnë e të gjejnë pika tjera. Ne kemi president që është zgjedhur me vota të tregtuara të deputetëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj, pika e dytë të cilën e kanë paraqitur është që të gjejnë një person jashtpartiak që përfaqëson unitetin e popullit.

Ajo thotë se nuk e kanë përmendur asnjëherë asnjë kandidat.

Nagavci thotë se pika e tretë ishte “që nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë jashtpartiake atëherë LDK-ja duhet t’ia propozojë një kandidat por se organet e VV ta votojnë. Pika e katër ishte që angazhimi jonë duhet të jetë i përbashkët dhe të mos kërkohen vota nga ish-partitë e PAN-it për votim të presidentit”.

Sipas saj qëllimi i tyre ishte që bashkërisht të gjendej një kandidat që përfaqëson unitetin e popullit.

Ajo tutje ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të tërhiqen nga pozita e kryeparlamentarit.

“Lëvizja nuk ka asnjë arsye e as një të drejtë të bëjë lojë me institucionet e vendit. Ne duhet të tregohemi serioz sepse për këtë jemi votuar. Secila pozitë do të jetë llogaridhënëse për qytetarët. Konjufca është propozuar nga Kurti dhe është votuar nga 75 deputetë, është nder të jetë në krye të Kuvendit dhe ne besojmë shumë që ai do ta kryej më shumë përgjegjësi punën e kryetarit. Besoj që shpejt do të kemi vendimet e para që janë të bazuara në respektimin e plotë të rregullores së Kosovës”, ka thënë ai.

Nagavci thotë se Konjufca e ka pranuar si përgjegjësi këtë detyrë, duke shtuar se ai do të ishte i gatshëm personalisht të hiqte dorë nga pozita, por se kjo nuk do të ishte asnjë garanci që marrëveshja me LDK-në të arrihej.

Ajo thotë se ishte propozim i VVsë që të propozohej një kandidat i LDK-së për kryetar të Kuvendit, por se këta të fundit nuk u pajtuan.

“Më 26 dhjetor LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e Këshillit dhe Mustafa ka thënë se VV-ja mund të propozojë një kandidat dhe se ata do ta pranonin. Ne kemi thënë se do ta propozojnë një kandidat nga LDK-ja mirëpo kur kemi pasur këtë refuzim dhe kur kemi pas një deklaratë publike të Mustafës, atëherë ka qenë e paarsyeshme prej anës tonë të mos e propozojmë kandidatin”, ka thënë ajo. “Mendoj se është mirë që kemi një personalitet si Konjufca në krye të Kuvendit, të një institucioni kaq të rëndësishëm kemi një person me dije, dinjitet e etikë të lartë profesionale. Shpresoj të fillojë puna më shpejt në Kuvend. Konsideroj se është çështje e vullnetit që të vazhdohet puna më tutje. Shpresoj që të kemi shumë shpejt edhe votëbesimin për krijimin e qeverisë Kurti”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat