Haradinaj e pyet VV-në: A po shkojmë në zgjedhje

Aktuale

Haradinaj e pyet VV-në: A po shkojmë në zgjedhje

Më: 17 janar 2020 Në ora: 10:27
Daut Haradinaj

Gati dy muaj pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë arritur që të merren vesh për koalicion qeverisës. Madje zyrtarë të këtyre dy partive këtë javë kanë ashpërsuar komunikimet me njëri-tjetrin duke drejtuar akuza dhe kundër akuza për dështimin eventual të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Tërë këtë zvarritje të procesit për krijimin e Qeverisë, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, fajin ia hedh Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj ka thënë se e tërë kjo tingëllon më shumë si mos gatishmëri e tyre për të udhëhequr institucionet.

“Zvarritja e krijimit të institucioneve më së shumti e godet qytetarin e Kosovës e më së paku partitë e dala fituese ose më saktësisht bartësin e këtij procesi, LVV-në si partia e parë që ka dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se ndarja e përgjegjësive nuk duket të jetë problemi i LVV-së dhe LDK-së.

 “Ndarja e përgjegjësive nuk duket të jetë problem i tyre, më shumë tingëllon mos gatishmëria e tyre për të udhëhequr institucionet në këtë etapë tepër me rëndësi që po kalon vendi ynë”, u shpreh Haradinaj.

Më tej shef i grupit parlamentar dhe deputeti i AAK-së, theksoi se Qeveria do të krijohet, mirëpo shtrohet pyetja se “a do të shkojmë në zgjedhje?”.

“A po shkojmë në zgjedhje? Ose a po e kryeni detyrën për çka u mandatuat nga vota e popullit? E tërë përgjegjësia shkon tek LVV-ja pasi që doli e para”, tha Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat