Kërkesat e ‘Krahut të Luftës’ për formimin e Qeverisë

Aktuale

Kërkesat e ‘Krahut të Luftës’ për formimin e Qeverisë

Më: 17 janar 2020 Në ora: 20:46
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Para dhjetë dite, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dha disa paralajmërime se nëse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk formojnë institucionet, ata do të veprojnë. Nuk permendi cfarë veprimesh, por foli për rrezikun financiar që i kanoset Kosoëvs nëse ka vonesa.

Por tash e dhjetë ditë edhe PDK-ja edhe AAK-ja që janë në qeveri në dëtyrë, nuk kanë ndermarrë masa konkrete. Madje në masë të madhe ata vazhdojnë të heshtin për gjithë telenovelën e krijimit të qeverisë së re.

Ish-Kryetari i Kuvendit tha para dhjetë dite se kryetari i VV-së, Albin Kurti, nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi për vendin, sepse gjithë jetën e tij politike e ka kaluar duke qenë i papërgjegjshëm ndaj shtetit dhe kombit.

Ndërsa për Isa Mustafën, Veseli, në një intervistë për Indekonline, thoshte se e ka marrë peng partinë e tij, ose është peng i saj, të përçarë në fraksione të individëve që luftojnë hapur e fshehtas për ta zënë fronin e tij, fronin e një partie e cila tash e 16 vjet marshon nga njëra humbje elektorale në tjetrën.

Në këtë intervistë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli thoshte se nuk do t’i presin pafundësisht Mustafen e Kurtin për të arritur marrëveshje.

“Vendi është duke kaluar situatë delikate. Kemi hyrë në vitin e ri buxhetor, pa buxhet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Jemi duke lëvizur me të shpejtë drejt një situate kur shteti, në mungesë të Qeverisë, nuk do të jetë në gjendje të bëjë pagesat për mijëra punëtorë të sektorit publik, shërbyesit civilë, arsimtarët, mjekët, policët, ushtarët, profesorët e edukatorët e çerdheve. As për pensionistët, as për kategoritë tjera sociale dhe as të vazhdojë me implementimin e projekteve investive. Krejt kjo falë këtyre që nuk shohin përtej kolltukëve të tyre, sepse këta vetëm një punë dinë ta bëjnë: të bllokojnë çdo gjë dhe secilin që nuk përkon me interesat e tyre personale. Ne duhet të veprojmë, për të mos i lënë edhe më tutje këta të papërgjegjshëm që ta turpërojnë edhe më shumë shtetin e Kosovës. Nëse nuk veprojmë, bëhemi pashmangshëm pjesë e fajit të tyre”, ka deklaruar Veseli.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, duke iu drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, tha ditë më parë se ai duhet të gjejë formulën për të krijuar shumicën parlamentare në mënyrë që t’i jepet fund epilogut për formimin e qeverisë së re.

“Unë pres nga z. Kurti që t’i thërret ndërgjegjes së vet. Ose ta gjen formulën me bë shumicën, në këtë rast me LDK-në ose të hapë rrugë”.

Sipas Haradinajt çdo vonesë në formimin e qeverisë do të ketë pasoja për Kosovën. Ai tha se si kryeministër në largim e ka vështirë mbarëvajtjen e qeverisë, pasi që nuk ka fuqi vendimmarrëse.

“Është me rëndësi të madhe që të kemi një epilog të këtij procesi për shkak se qeverisja e ka të pamundur që të kryejë disa funksione që janë shumë me rëndësi”.
Pavarësisht që për mosarritjen e marrëveshjes së koalicionit janë edhe kërkesat e tepruara të LDK-së, Haradinaj përgjegjës kryesor dhe të vetëm për formimin e qeverisë bën Albin Kurtin.

“Përgjegjësia bie mbi Kurtin, ai duhet të dijë t’i akomodojë të gjithë ata me të cilët do të bëjë shumicën parlamentare”, pohoi Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat