Avokati tregon se pse nuk pret të aprovohet padia e Ramës ndaj Haradinajt

Aktuale

Avokati tregon se pse nuk pret të aprovohet padia e Ramës ndaj Haradinajt

Më: 17 janar 2020 Në ora: 21:34
Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Avokati Dastid Pallaska ka folur rreth padisë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paraqitur kundër homologut të tij nga Kosova, Ramush Haradinaj, për gjoja shpifje.

Pallaska ka thënë në emisionin “A Show”, se “nuk ka kuptim kjo padi” që ka bërë Rama.

“Pengesa e parë që do të hasë kjo padi është lejueshmëria e padisë”, ka vlerësuar avokati.

“Kryeministri i Shqipërisë, si zyrtar publik, ka pengesë për të paraqitur padi për shpifje ndaj personit publik”, ka vlerësuar Pallaska.

Akuzat Haradinajt i janë bërë si person publik, dhe nuk janë akuza personale, ka theksuar ai.

Padinë, Pallaska e ka cilësuar si “padi të kryeministrit të Shqipërisë kundër vetvetes”.

“Ai (Rama) mban barrën e provës… për të provuar se deklaratat e kryeministrit të Kosovës nuk ishin të sakta”, ka thënë avokati.

“Kjo, për faktin e thjeshtë se ai është zyrtar publik, dhe çështja që është objekt padie është çështje e interesit publik”, ka treguar ai.

Sipas Pallaskës, pragu i aprovimit të padisë është jashtëzakonisht i lartë.

Padia e Ramës është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve në dy intervista të dhëna në datat 17.10.2019 dhe 29.10.2019.

‘Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepça, jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet, që bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia”, deklaroi Haradinaj.

“Ndalova pra, grabitjen 10 miliardë eurove, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuqiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme,” shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat