Isa Mustafa: Letra e fundit e Kurtit një ese ideologjike, nuk negociohet me logjikën e aktit të kryer

Aktuale

Isa Mustafa: Letra e fundit e Kurtit një ese ideologjike, nuk negociohet me logjikën e aktit të kryer

Më: 18 janar 2020 Në ora: 09:52
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer me Vetëvendosjen.

Letrën e fundit të liderit të këtij subjekti, Albin Kurti, ai e ka cilësuar një “ese ideologjik”. Ndërkaq koalicionin eventual me këtë subjekt, Mustafa e cilëson të nxitur, jo nga afërsia programore, por nga nevoja për ndryshime.

Megjithatë, Mustafa thotë se e konsiderojnë me prioritet koalicionin qeverisës me Vetëvendosjen, ndonëse nuk ka dhënë shenja të tërheqjes nga kërkesa për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, të cilën aktualisht e mban Glauk Konjufca nga VV-ja.

Z.Mustafa, tashmë edhe ju, por edhe VV-ja, i keni bërë të ditura pozicionet, Letra e fundit e Kurtit a mund të prodhojë marrëveshje, apo fund të negociatave?

Mustafa: Letra më përngjau më shumë në një ese ideologjik sesa përgjigje në propozimin tonë, të cilin me kërkesën e tyre ua prezantuam më 8 janar, dhe poashtu me kërkesën e z. Kurti ua përcollëm me shkrim më 15 janar.

Përpjekja për një koalicion të tillë doli më shumë si rezultat i presionit publik se sa i vullnetit të të dy subjekteve. A duhet t`i nënshtrohen partitë presionit publik, apo përcaktimit programor?

Mustafa: Koalicioni me VV-në ka lindur si vullnet politik. Por ky vullnet duhet të menaxhohet nga secili subjekt e jo përmes presionit publik dhe mediatik. Sepse koalicioni nuk është detyrë dhe as detyrim por shprehje e mirëbesimit reciprok si dhe e besimit se bashkërisht mund të implementohet një Program qeverisës, i cili i shërben Kosovës.

LDK-ja ka një historik dyvjeçar të një ofrimit me VV-në nga bashkëpunimi ndëropozitar, pas një animoziteti të konsoliduar për vite të tëra. Përpjekja për bashkëqeverisje a është derivat i nevojës për ndryshim, apo pasojë e vijave të kuqe, të përcaktuara nga të dy subjektet?

Mustafa: Vija të kuqe kishim përcaktuar për PDK-në. Arsyet i kemi bërë publike. Ndërkaq me prioritet e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë koalicionin me LVV. Jo se kemi afërsi programore por se kemi nevojë të bëjmë ndryshime për të cilat jemi zotuar para qytetarëve.

Po të mos ishin vijat e kuqe, sigurisht që skena politike nuk do të përballej me recidivizëm të ngërçit. A bëhet politika me vija të kuqe, apo me oferta programore?

Mustafa: Në një situatë kur partnerët respektojnë marrëveshjet dhe kur nuk cenohet besimi, koalicionet janë më të arsyeshme dhe më të shëndetshme mbi baza programore.

Publiku ende nuk e di se çfarë përmban oferta e një koalicioni të mundshëm ndërmjet LDK-së e VV-së. Më së paku është fol për të në publik e më së shumti për ndarjen e ministrive dhe posteve të tjera në Kuvend. Ndaj, rrjedhimisht është krijuar përshtypja se po negocioni për hise në pushtet, por jo për modelin qeverisës? Cila është e vërteta?

Mustafa: Modelin e kemi përcaktuar në Programin e harmonizuar qeverisës. Qeveri e vogël, prej 12 ministrive, funksionale dhe unike. Portfolio e kombinuar e fushave qeverisëse, që siguron se asnjëra palë nuk ka monopol mbi një fushë, por bashkërisht marrin përgjegjësinë për zhvillim ekonomik, për rendin dhe ligjin, për arsimin dhe shëndetësinë dhe fushat e tjera. Ndarja e përgjegjësive (hises) bëhet në harmoni me besimin qytetar; VV-ja ka marrë besimin me 29 deputetë, LDK-së, me 28 deputetë. LDK-ja nuk kërkon dhe nuk merr nga LVV-ja, sepse ajo nuk i ka fituar të gjitha, pasi nuk i ka 61 deputetë, por 29, andaj dy palët ndajnë mbi bazën parimore hisen e pushtetit dhe përgjegjësitë për rezultatet por dhe për dështimet.

Me ofertën e fundit tuajën, gjendja duhet kthyer në datën 26 dhjetor. Realisht, a mendoni se ka korrektësi politike të revidohet një vendim, të cilin e ka miratuar edhe partia juaj. Kryetari i Kuvendit është zgjedhur pa asnjë telashe. Pse tash kërkesa për një prapakthim?

Mustafa: Pas datës 26 dhjetor, kur pa marrëveshje është zgjedhur Kryetari i Kuvendit, LVV-ja na ka ftuar të vazhdojmë me negociata për marrëveshjen. Ne me 26 dhjetor, ishim të bindur se LVV-ja hoqi dorë nga marrëveshja me ne, prandaj edhe e votuam Kryetarin e Kuvendit me qëllime të mira për konstituim të Kuvendit. Prandaj nuk është LDK-ja, ajo që kërkoi të kthehemi para datës 26 dhjetor, por LVV-ja, sepse ne si LDK, ecurinë e marrëveshjes e kemi lënë pikërisht para 26 dhjetorit. Dhe, LDK-ja nuk mund të negociojë me logjikën e aktit të kryer të LVV-së. Ne nuk jemi në luftë; vetëm me logjikën e luftës okupohet territori i një vendi, pastaj i thuhet eja të merremi vesh për territorin tjetër, por këtë që e kam okupuar mbetet i imi!?

A ka pas mundësi LDK-ja ta realizojë ofertën e 8 janarit pa e lënë procesin të rrjedhë deri në këtë pikë?

Mustafa: Oferta realizohet si vullnet i dy palëve. Më 8 janar të dy palët kemi konstatuar se kemi lëvizë përpara dhe se po vërtetohet vullneti për koalicion, por një ditë më vonë subjekti tjetër nuk ka treguar vullnet ta prano zgjidhjen që kemi ofruar.

Megjithatë, nga ajo që duket në publik, LDK-ja po përballet me jounitet sa i përket koalicionit me VV-në. Cili është pozicioni juaj në këtë mes? Pse ky skepticizëm nga një pjesë e njerëzve të LDK-së?

Mustafa: Për zgjidhjen që e kemi ofruar më 8 janar, të gjithë kemi qenë unik. Për qeveri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat