Eksperti i ekonomisë: 170 euro veteranëve nuk ua mbulojnë as shpenzimet personale

Aktuale

Eksperti i ekonomisë: 170 euro veteranëve nuk ua mbulojnë as shpenzimet personale

Më: 18 janar 2020 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

57 milionë euro janë shpenzuar vetëm gjatë vitit paraprak si pagesë për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur se deri në muajin maj përfitues të këtyre pensioneve kanë qenë mbi 37 mijë veteranë.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë Mustafë Kadrijaj ka thënë se rasti i veteranëve për sa i përket aspektit ligjor nuk është trajtuar drejt. Megjithatë, ai e ka konsideruar të ulët shumën e pensionit që marrin ata.

“Vlerësoj se edhe trajtimi i veteranëve në bazë të ligjit së pari nuk është trajtuar drejt për faktin se nuk duhet të kushtëzohen që të mos kenë punë tjetër, ngase 170 euro nuk ua mbulojnë as shpenzimet personale e lëre shpenzimet për familje. Kështu veteranët po detyrohen të heqin dorë nga gëzimi i pensionit dhe të punojnë punë ku të munden për t’u gjendur në tregun e punës ose të mbajnë punë pa letra dhe kjo është shkelje ligjore”, ka thënë Kadrijaj.

Ai e ka parë të nevojshme verifikimin e listave të veteranëve, pasi që, sipas tij, buxheti dëmtohet nga ata që janë të rrejshëm. “Duhet të verifikohen listat, sepse vetëm kështu veteranët e mirëfilltë e gëzojnë të drejtën e pensionit, pa kushtëzime. Kontributi i tyre është i papërsëritshëm. Si përfundim buxheti dëmtohet nga veteranët e rrejshëm, të cilët duhet të marrin dënime kapitale për faktin se përveçqë kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, njëherësh kanë njollosur sakrificat e veteranëve të UÇK-së”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat