(E plotësuar) - Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar lajmin se sot kryetari i saj ka takuar kryetarët e partive të ish-koalicionit PAN, për krijimin e qeverisë.
PDK-ja ka konfirmuar se do të mbetet në opozitë dhe se Veseli është në takime sot gjatë ditës me zyrtarë të Shqipërisë, përcjell Bota sot.
"Çfarëdo vonese në krijimin e qeverisë se re nga partia që ka dalë e para, është e dëmshme për interesin e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Komunikata e plotë:
PDK demanton lajmin për takime të z. Veseli me kryetarët e disa partive
Pas publikimit të lajmit se z. Kadri Veseli, sot, ka takuar disa kryetarë partish për krijimin e koalicionit qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës lëshon këtë deklaratë:
“Është i pavërtetë dhe spekulim lajmi se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është takuar me disa kryetarë të partive tjera për të diskutuar gjoja formimin e koalicionit qeveritar.
Z. Veseli është në takime sot gjatë ditës me zyrtarë të Shqipërisë. PDK do të mbetet në opozitë sikurse e ka konfirmuar z. Veseli më 6 tetor 2019.
Çfarëdo vonese në krijimin e qeverisë se re nga partia që ka dalë e para, është e dëmshme për interesin e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës”.
***
Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli janë duke mbajtur një takim.
Burime të medias mësojnë se krerët e subjekteve politike të cilat ata udhëheqin po diskutojnë për mundësinë e koalicionit qeverisës dhe formimin e institucioneve.
Sipas burimeve tona ky takim po ndodh pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po arrijnë te merren vesh për koalicion.