“Beteja e Kryeministrave”, imazh i keq për të dy vendet në rrafshin ndërkombëtar

Aktuale

“Beteja e Kryeministrave”, imazh i keq për të dy vendet në rrafshin ndërkombëtar

Më: 18 janar 2020 Në ora: 16:04
Ramush Haradinaj dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka paditur kryeministrin e Kosovës në largim Ramush Haradinaj, për “shpifje”. Padinë e publikoi “Betimi për drejtësi”, një emision që përgatitet nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku thuhet se Rama padinë e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në padinë 30 faqëshe të publikuar nga “Betimi për Drejtësi” pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmenden disa emisione të transmetuar,a në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Edi Ramën, që së bashku me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksander Vuciq, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në datën 17.10.2019 dhe 29.10.2019, i padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360 gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm”.

Kryeministri i Kosovës në largim Ramush Haradinaj nga ana e tij, shkroi në rrjetin social facebook, se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatis një përgjigje në padi. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore. Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi në postimin e tij Ramush Haradinaj.

E njohësit e çështjeve politike dhe ndër-shtetërore po thonë se ky vendim i z.Rama ishte një gabim.

Jeton Brajshori njohës i çështjeve politike dhe shoqërore për lajmin është shprehur ajo që fillimisht është dukur si lojë fjalësh, përfundoi me padi dhe pa marrë parasysh epilogun kjo ndodhi do të ketë pasoja.

“Si dy vende të ndara , me pretendimin të bëhen një, ka qenë e paimagjinueshme të mendohet se do të vijë dita, ku ne me gjithë ato probleme që kemi ta padisim njëri tjetrin. Ajo që fillimisht u dukë si lojë fjalësh mes z. Rama dhe z. Haradinaj , ku njëri u akuzua për tradhëti e tjetri për paaftësi , na futi në një betejë ligjore , ku pa marrë parasysh si do të jetë epilogu i ka dëmtuar mardhënjet Shqipëri – Kosovë në një masë jo të vogel , nga e gjithë kjo na dalin dy probleme kryesore, ai politik dhe shoqëror”, tha Brajshori.

Më tutje, Brajshori është shprehur se me këtë padi, Rama është munduar të mbulojë dështimin e Shqipërisë në politikën e jashtme, ndërsa Haradinaj me këtë kontest është munduar të mbulojë dështimet dhe keqqeverisjen e tij.

“Kryeministri Rama duke u munduar që të mbroj dështimet e tij në politikë të jashtme, ku Shqipëria për katër vite rradhazi refuzohet nga BE-ja për hapjen e negociatave për antarësim , po ashtu edhe problemet e shumëta të brendshme me opozitën ku edhe me ndërmjetsimin ndërkombetarë nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje pasi që opozita ka djegur mandatet , pikërisht në këtë kohë z. Rama padit z. Haradinaj!  Po ashtu edhe kryeministri në dorheqje z. Haradinaj , i cili do të mbahet mend si qeveria me shpenzimet enorme dhe faljen e 8.200 hektarve Malit të Zi në emër të liberalizimit të vizave, do të tentoj që përmes kësaj padie të dëshmojë se ka ndalur ndarjen e Rep. të Kosovës e cila do të ndodhte nga z. Rama dhe presidenti Thaçi dhe kështu do ta amnistonte veten nga keqqeverisja”, tha Brajshori më tutje.

Brajshori ka theksuar gjithashtu dy probleme të kësaj padie, ai ka theksuar se do të ndikoj në zbehjen e marrëdhënieve politike, por edhe në marrëdhëniet sociale që kanë dy shtetet mes vete.

“Padia vetvetiu është absurde në kohën kur z. Rama është në mardhënje shumë të mira me presidentin Vuçiç dhe është mjaft i angazhuar për projektin e tij të mini-shengenit nga i cili do të përfitonte vetëm Serbia .  Kjo ftohje mardhënjesh politike do të mund të thellohet edhe më shumë , me krijimin e qeverisë tek ne, ku pretendenti për kryeminister z. Kurti ka kohë që nuk është në mardhënje të mira me z. Rama duke e akuzuar atë për çështjen e bisedimeve me serbin, shkëmbimin e territoreve dhe siç e cekëm më lartë mini-shengenin. (ky ishte problemi politik). Problemi shoqëror mund të jetë më i madh , këto probleme gjithmonë janë më të mëdha dhe të rrezikshme kur ndodhin mes dy popujve të njëjt të cilët kanë gjuhë, traditë, kulturë të njëjtë. Se jemi të afërt me njeri tjetrin e kemi dëshmuar të dy palët si në luftë po ashtu eshe gjatë termetit që ndodhi kohëve të fundit, ky tipari kryesor i një shoqërie është solidariteti i cili nuk ka munguar kurrë tek shqiptarët për atë arsyje politikanët duhet të kenë shumë kujdes me veprimet e tyre dhe të fusin përqarje mes popujve të njëjtë se ne edhe ashtu jemi të dobët.”tha Brajshori.

Në fund, Brajshori është shprehur se Rama do të duhej t’i bënte padi Serbisë dhe Vuçiqit për masakrat në Kosovë dhe jo Haradinajt.

“Kryeministri Rama do të bënte mirë ta tërhiqte padin e cila i shkon për shtati më së shumti Serbisë , që me çdo kusht dëshiron të ketë konflikt të mbrendshëm  shqiptarë për ti mbuluar krimet e tyre dhe vazhduar fushaten intenzive kundër njohjës së Rep. të Kosovës . Presidenti Vuçiç pak ditë pasi mohoj masakrën e Reçakut ecte në rrugët e Durrësit dhe shprehte “ dhembshuri “ për ndërtesat e rrenuara nga tërmeti , ky afrim mes z. Rama dhe presidentit Vuçiç  me të drejt ka irituar mjaftë njerëz pasi që Rama heshti në përvjetorin e 21 të masakrës së Reçakut duke e injoruar atë !  Padia duhet ti shkoj serbisë dhe Vuçiçit që në kohën kur kryheshin masakrat në Kosovë ai ishte ministër i propagandës  serbe, e jo z. Haradinaj!”, tha Brajshori.

Më tutje, njohësi i integrimeve, Avni Mazreku është shprehur se e gjithë kjo është një ballafaqim i dy pikëpamjeve politike.

“Unë mendoj se kjo që është parë me këtë iniciativën e z.Rama ta padisë z.Haradinaj shfaq dy pikpamje që ekzistojnë në Shqipëri edhe në Kosovë sa i përket raporteve me Serbinë, sa i përket të ardhmes së Kosovës me kufijtë ekzistues që gjithashtu ka probleme me artikulimin e sovranitetit të saj. Duhet të themi se këto dy vija tentojnë me i proklamu pikpamjet e tyre si të drejta”. “E para do të thotë opsioni i ndarjes së Kosovës është opsion i pranueshëm që ka mbështetës dhe ajo që opsioni i ndarjes së Kosovës nuk është opsion. Andaj këto dy pikpamje që mendoj se ky i pari është gabim, mundohen të artikulojnë pikpamjen si të drejtë dhe synimi i tyre është të mos i humbin kredencialet, andaj veprimin e Ramës e shoh në këtë drejtim që mundohet të mbrojë një pikpamje që nuk është në interes të Kosovës” , tha Mazreku.

Ende nuk dihet se cili do të jetë epilogu i kësaj padie të kryeministrit të Shqipërisë ndaj kryeministrit në dorëheqje të Kosovës, por ky i fundit nuk është tërhequr nga deklarata e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat