Thaçi tregon pse e ka nënshkruar nominimin e Kurtit

Aktuale

Thaçi tregon pse e ka nënshkruar nominimin e Kurtit

Më: 19 janar 2020 Në ora: 12:28
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i vendit ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë duke pritur që të themelohen institucionet. Prandaj, sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje duhet të pranojë ose refuzojë të themelojë Qeverinë e re bazuar në rezultatet e 6 tetorit.

Pas takimit me ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, Hashim Thaçi tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyll me sukses procesin e 6 tetorit.

Thaçi mes tjerash tha se i mbetet kryetarit të partisë  që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit që ta bëjë hapin, ndryshe duhet ta deklarojë refuzimin si mandatar për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

Thaçi: Unë duke menduar që e pranon, e kam nënshkruar nomiminim e Kurtit

“Koha po kalon, prandaj unë si president i vendit duke e parë angazhimet e kryetarit të partisë së parë që ka dalur në zgjedhjet e 6 tetorit, unë duke menduar që do ta pranon sepse është një rregull i pashkruar... unë e kam nënshkruar atë ditë nominimin e Z.Kurtit si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk kalon kohë të gjatë dhe Z.Kurti që të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë Thaçi.

Për këtë ai u shpreh i bindur që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës, dhe ligjet.

Thaçi: Do të respektoj në tërësi kushtetutën dhe ligjet

“Në çdo veprim timin do ta respektoj në tërësi kushtetutën dhe ligjet. Respektoj shumë opinionet e ekspertëve por unë nuk shkel as kushtetutë as ligj”, u shpreh ai.

***

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas takimit që ka zhvilluar me ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka dhënë një prononcim para gazetarëve.

Ai ka thënë se sa i përket zhvillimeve politike në Kosovë, do ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën; ndërsa kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, i mbetet që ta bëjë hapin.

“Është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyllë këtë proces sa më shpejt që është e mundur”.

“Unë do ta respektoj ligjin dhe Kushtetutën – i mbetet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, që ta bëjë hapin”.

“Në këtë drejtim ka qenë edhe takimi ynë [Thaçi-Kurti] i cili ka premtuar se në ditët vijuese do ta pranojë në kuptimin juridik përgjegjësinë e mandatarit për themelimin e Qeverisë”.

“Kaluam një kohë të gjatë dhe njerëzit janë duke pritur. Koha po kalon; prandaj unë si President i vendit, duke parë angazhimet e Kurtit, i cili ka qenë kandidat për kryeministër, e kam nënshkruar vendimin për mandatarin duke menduar se do ta pranojë”.

“Ai nominim ende është në tryezën time, dhe pres që Kurti ta pranojë atë ose ta refuzojë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat