Zbulohet kush po e pengon koalicionin VV-LDK, ky personalitet i lartë shtetëror është kundër Kurtit dhe Mustafës

Aktuale

Zbulohet kush po e pengon koalicionin VV-LDK, ky personalitet i lartë shtetëror është kundër Kurtit dhe Mustafës

Nga: V.R Më: 19 janar 2020 Në ora: 21:18
Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Ditë më parë, Presidenti Thaçi u takua me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Takimi zgjati pak minuta e për rrjedhoj nuk pati ndonjë gjë të re. Por, kuptohet se Thaçi ka nënshkruar dekretin e tij për nominimin e kreut të Vetëvendosjes për kryeministër të Republikës së Kosovës. Por për çudi, këtë dekret thotë se e ka mbajtur në tavolinën e tij. Nuk ia paska treguar as të nominuarit, të cilin atë ditë e kishte në zyrë.

Publicisti Enver Bytyçi, për “Bota sot”, theksoi se këtu në këtë situatë, sheh një gërshetim intrigash dhe skemash anti-shtet të presidentit të vendit. Më së paku ka transparencë në marrëdhëniet politike dhe ushtrimin e kompetencave kushtetuese nga ana e zotit Thaçi. Kjo sepse ai ka lënë të kuptojë që afati i këtij mandatimi skadon deri me datën 21 janar, dmth sipas tij, pas dy javësh.

“Nëse keni vënë re, Thaçi e motivon këtë akt me domosdoshmërinë dhe nevojën që Kosova ka për krijimin e institucioneve. Ndërkaq me iniciativat e tij proserbe për ndarjen e Kosovës donte që t’i zhbënte këto institucione njëherë e përgjithmonë. As këshilltarët e tij nuk e besojnë se atij i ha barku për institucionet e vendit. I vetmi hall që ai ka,  ka të bëjë me  pushtetin e tij. Hashim Thaçi nuk e do koalicionin VV-LDK. Prandaj intrigon dhe në intrigën e tij përdor pushtetin e vet”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, shtoi se Thaçi, ka mobilizuar për qëllimet e tij të mbrapshta gjithë thaçistët në Lidhjen Demokratike e në Vetëvendosje.

Sipas tij, kjo shpjegon dhe përgjigjen e pyetjes përse nuk po gjendet kompromisi. Shkaku kryesor i mungesës së këtij kompromisi ka të bëjë Hashim Thaçin dhe përpjekjet e interesat e tij për ta sabotuar këtë koalicion.

Image
Publicisti Enver Bytyçi

“Nga ana tjetër ka të bëjë deri diku edhe me frymën majtiste të Albinit. Kam përshtypjen se ai vuan nga sëmundja e kapjes së pushtetit, sëmundje kjo e të gjitha rrymave majtiste ekstreme kudo në botë. Kam idenë se ai nuk do ta lëshojë as postin e presidentit, sepse ia ka premtuar atë post Rexhep Qosjes!  Nisur nga ky arsyetim, mund të them se që tani kryeministri i nominuar Albin Kurti po e pengon Albin Kurtin e fushatës parazgjedhore për ta bërë realitet angazhimin e tij për luftën kundër korrupsionit. Një kryeministër që kërkon të kontrabondojë postet shtetërore, nuk mund të jetë i aftë të luftojë kundër lidhjeve të pushtetit të tij me korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ai.

Tutje, Bytyçi, theksoi se për sa i takon takimeve para ose përfundimtare të Kurtit dhe Isa Mustafës, mendoj se kjo ka të bëjë më shumë me Mustafën, të cilin e konsideroj bashkëpunëtor të Hashim Thaçit.

Sipas tij, ai qëllimisht ka vënë kusht marrjen e postit të kreut të kuvendit, që të mos formalizohet koalicioni. Gjykoj se LDK duhet të heqë dorë nga kërkesa për kreun e Kuvendit dhe Albin Kurti duhet të lëshojë postin e presidentit të Republikës. Posti i presidentit duhet t’i takojë Lidhjes Demokratike, me kusht që atë të mos e trashëgojnë thaçistët. Po të ishte për thaçistët, më mirë është të mbetet Hashimi në atë post.

“Në rrethanat e krijuara duket se Kosova do të shkojë në një krizë institucionale të pashmangshme. Nëse Thaçi do të shpallë përfundimin e mandatimit të Albin Kurtit dhe dhënien e mandatit të formimit të qeverisë partisë së dytë, Lidhjes Demokratike, atëherë Kosova mund të shkojë në anarki. Ndoshta presidenti i vazhdon të punojë sipas axhendës serbe të destabilizimit të Kosovës! Shpresoj që të ketë vënë mend nga dështimi i hidhur në përpjekjet e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Shpresoj gjithashtu t’i ketë shkëput lidhjet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili vijon të punojë sipas axhendës së Beogradit”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat