Gazmend Muhaxheri shpallet i pafajshëm

Aktuale

Gazmend Muhaxheri shpallet i pafajshëm

Më: 20 janar 2020 Në ora: 14:54
Gazmend Muhaxheri

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i akuzuar për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Një gjë të tillë, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtari për informim i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari.

“Është refuzuar si e pabazuara ankesa e Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë-Departamenti i Përgjithshëm, P.nr.493/2017, datë 16.08.2019, është vërtetuar. Ankesa e palës së dëmtuar Hysni Selmanaj, është hedhur si e palejuar”, thuhet në përgjigjen e tij.

Gjykata Themelore në Pejë, në gusht të vitit 2019, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj Muhaxherit, që sipas gjykatësit të rastit, Sejdi Blakaj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Muhaxheri e ka kryer një vepër të tillë penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.

Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.

Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27.04.2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanaj lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës.

Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat