Lekaj: Normalizimi i hapësirës ajrore me Serinë të mos kushtëzohet me heqjen e taksës

Aktuale

Lekaj: Normalizimi i hapësirës ajrore me Serinë të mos kushtëzohet me heqjen e taksës

Më: 21 janar 2020 Në ora: 17:51
Pal Lekaj

Marrëveshja për operimin e kompanisë ajrore “Lufthansa” në linjën Prishtinë-Beograd, të nënshkruar dje në një ceremoni të veçantë në Ambasadën amerikane në Berlin, po konsiderohet një hap pozitiv për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Drejtues të institucioneve të vendit deklarojnë se aviokompania gjermane “Lufthansa” synon të hapë korridorin ajror Prishtinë-Beograd.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, duke komentuar kushtëzimet e autoriteteve të Serbisë për zbatimin e kësaj marrëveshje, tha për KosovaPress se nuk duhet të bëhet kompromis për heqjen e taksës 100 për qind.

Lekaj thotë se falë përkrahjes së SHBA-së, kjo letër e përafrimit do të ndikojë dukshëm edhe krijimin e korridorit për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Serbisë nga aviokompanitë që aterrojnë në aeroportin “Adem Jashari”, si dhe do të shkurtojë hapësirën edhe në kohë për rreth 30 minuta, por edhe për zbritjen e çmimeve të biletave.

Lekaj: Një hap përpara për krijimin e korridoreve të reja ajrore

“Ne kemi vetëm një fillim të mbarë, Beograd – Prishtinë dhe Prishtë – Beograd, dhe nuk është për vendet e pesta për hapësirën ajrore. Megjithëkëtë, ky është një hap shumë përpara që ne të krijojmë korridore në këtë drejtim dhe të përdoret edhe hapësira ajrore e Serbisë për aviokompanitë që aterojnë në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’. Është një spekulim asnjë herë nuk është përmendur heqja e taksës për firmosjen e kësaj marrëveshje. Në asnjë moment nuk është diskutuar heqja e taksës. E them, se në këtë drejtim nuk kisha bërë kompromis”, thotë Lekaj.

Kosova aktualisht ka vetëm një korridor ajror me Maqedoninë e Veriore, megjithëkëtë ministri në detyrë Lekaj nuk përjashton mundësinë që Kosova shumë shpejt do të ketë korridor ajror edhe me Shqipërinë.

Lekaj: Shumë shpejt do të hapim korridor edhe me Shqipërinë

“Kur e themi këtë, ne nuk mund të ndalemi, me Shqipërinë nuk kemi asnjë problem sa i përket korridoreve dhe raporteve tona. Por, mund të them se ne po insistojmë që ne të marrim përgjegjësi edhe për hapësirën e ulët ajrore që është përgjegjësi e NATO-s. Ne jemi duke komunikuar, se kur do të ndodhë do të informoheni shumë shpejt”, deklaron ai. 

Për këtë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga SHBA, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu për KosovaPress ka thënë se synimet për hapje të korridorit ajror me Serbinë është pozitiv, dhe LDK do të kontribuojë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Veliu: Hapja e korridorit ajror me Serbinë hap pozitiv

“Çdo lëvizje që çon kah normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët, ne vlerësojmë si pozitive edhe sigurisht Lidhja Demokratike e Kosovës kontribuon në këto çështje”, deklaroi Veliu.

Ndërsa, përfaqësues të Lëvizjes vetëvendosje, edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress, nuk kanë dashur ta komentojnë këtë marrëveshje me Serbinë për shfrytëzimin e linjës ajrore Kosovë-Serbi.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj e ka quajtur hap gjigant nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për rifillimin e fluturimeve komerciale.

Haradinaj ka shkruar në Twitter se ky është një hap i rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Nisma për të hapur rrugën e tretë ajrore civile të Kosovës për fluturime komerciale në Serbi, pas Shqipërisë dhe Maqedonisë është një hap gjigant për avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konsolidimin e sovranitetit të Kosovës”, shkruan Haradinaj.

Ky hap është mirëpritur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të angazhuar për normalizim të hapësirës ajrore, meqë shënon njohje të autoriteteve të aviacionit civil mes dy shteteve dhe bashkëpunim mes tyre, pas 20 vjetëve. Përmes kësaj linje, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror.

Kompania ‘Lufthansa’ duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat