“Syri i Popullit”, vjen reagimi i VV-së për PDK-në pas akuzave të saj: Pse s’u hetua SHIK-u kur anëtarët e saj u dënuan për vrasje?

Aktuale

“Syri i Popullit”, vjen reagimi i VV-së për PDK-në pas akuzave të saj: Pse s’u hetua SHIK-u kur anëtarët e saj u dënuan për vrasje?

Nga: N.Sh Më: 22 janar 2020 Në ora: 13:57
Kadri Veseli dhe Albin Kurti

Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që mori dhe i dënoi të akuzuarit e rastit “Syri i Popullit” dhe pas komunikatës së PDK-së e cila akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje kanë reaguar këta të fundit.

Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, ka pyetur se pse nuk është hetuar SHIK-u edhe pse anëtarët e saj ishin dënuar për vrasje e krime tjera.

“Po ShIK-u si organizatë pse s’u hetua, kur dihet që anëtarë të tij janë dënuar për vrasje e krime tjera?!”, shkruan Zogiani në Facebook, shkruan gazeta “Bota sot”.

Sot Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Avni Llumnicës me 12 vite burg, Sadri Rambajën me 5 vite, Ragip Sallova 4 vite, Bajrush Konjusha 3 vite, Halim Halimi 3 vite, Rexhep Topllana 2 vite, Behxhet Lluzha 2 vite.

Kurse, i akuzuari Murat Jashari për shkak të gjendjes së tij, është shqiptuar trajtim i detyrueshëm psikiatrik prej 10 vitesh. Për të akuzuarit Sabit Berisha dhe Lirije Luzha është refuzuar aktakuza, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka hequr dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Themelore të Prishtinës, çuditërisht ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate.

PDK-ja e ka quajtur lajm të mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë dënimin e anëtarëve të kësaj organizate.

Megjithatë, PDK-ja ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje, për krijimin dhe frymëzimin e këtij grupi, për të eliminuar kundërshtarët politikë, përcjell Bota sot.

“PDK: Lëvizja Vetëvendosje krijoi dhe frymëzoi grupin terrorist “Syri i Popullit”, të distancohet

Dënimi i organizatës terroriste “Syri Popullit” është një lajm i mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.

Institucionet e Kosovës dëshmuan edhe njëherë fuqinë dhe profesionalizmin për të parandaluar, kapur dhe dënuar një grup të terroristëve të cilët kishin ndërmarrë një tentim vrasje dhe po planifikonin të vrisnin kundërshtarët politikë ku në listat e tyre të ekzekutimit figuronin udhëheqës shtetërorë, figura të partive politike dhe personalitete publike.

Partia Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët politikë.

PDK kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje që të distancohet nga ky grup terrorist”, ka shkruar PDK-ja në komunikatë.

Duhet kujtuar se për këto deklarata të PDK-së, konkretisht të presidentit Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti bashkë me Glauk Konjfuca kishin dorëzuar padi në Pallatin e Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat