E zbulon deputeti: VV-ja optimiste për marrëveshje me LDK-në para kësaj date

Aktuale

E zbulon deputeti: VV-ja optimiste për marrëveshje me LDK-në para kësaj date

Më: 23 janar 2020 Në ora: 17:26
Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Dimal Basha, folur për vizitën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për ekzistimin e një mundësie që marrëveshja me Lidhjen Demokratike të Kosovës të bëhet brenda kësaj jave, si dhe për ofertën e fundit që kjo parti i ka bërë LVV-së.

Basha e vlerësoi si shumë pozitive vizitën e ambasadorit Grenell në Kosovë dhe tha se mesazhi që ai dha, tregon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë me shumë interes zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

Sipas tij, një rëndësi të veçantë ka edhe diskutimi në lidhje me mesazhin e dytë të Grenell, i cili tha se do të kërkoj që të ndalohet fushata e Serbisë për çnjohjet, si dhe kërkesa e tij për heqjen e taksës 100 për qind.

“Mesazhi i zotit Grenell ishte i thjesht, janë politikat e Trump-it, ku beson që zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia qytetare, i largon ato inatet që qëndrojnë në këtë rast mes dy etnive, mes dy vendeve, siç është në këtë rast Kosova me Serbinë, edhe interesi i tyre është me mujt me pru zhvillim ekonomik, ku Amerika ka projekte, ku zotëri Grenell e potencoi. Ajo që ka rëndësi është mesazhi i dytë i tij që është që ata kanë me punu për me nal Serbinë në kampanjën dhe fushatën e tyre kundër Kosovës. Kjo ka shumë rëndësi për shkak se ne nuk mundemi me fillu me bashkëpunu sepse kemi vazhdimësi të mesazhit të urrejtjes, përçarjes edhe anti-kampanjës, kundër integrimit të Kosovës në institucione të ndryshme. Zotëri Grenell premtoi edhe me bisedu me Serbinë për këtë problem, sepse ky është problem për bashkëpunim mes dy vendeve, kur e ki njërën anë që punon kundër Kosovës, mirëpo edhe në zhvillimin ekonomik ku Shtetet e Bashkuara kanë shumë interes në zhvillimin e rajonit, në veçanti të Kosovës”, u shpreh deputeti i LVV-së.

Sa i përket taksës 100 për qind, Basha tha se edhe Albin Kurti por edhe në marrëveshje me LDK-në, taksa do të  zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.

“Edhe zotëri Kurti edhe në marrëveshje me LDK-në, jemi që taksa ka me u hjek, mirëpo do të  zëvendësohet me reciprocitet, që nënkupton nëse Serbia vazhdon kampanjën kundër nesh është në rastin konkret të mos njoh diplomat, atëherë edhe në detyrohemi të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Në javët në vijim, zoti Grenell tha që do të dalin me disa ide, ose projekte tjera që flasin për zhvillimin ekonomik, mirëpo Amerika është e vetëdijshme se nuk mundet Serbia me qenë pjesë e barabartë e një bisedimi ku kërkohet bashkëpunim, derisa vazhdon me agresionet edhe politikat urrejtëse ndaj Kosovës, kjo ka me mbaru ose s’ka me pas bisedime”, tha ai.

Kurse, për marrëveshjen me LDK-në dhe afatet kohore, Basha tha se i vetmi afat kohor për formimin e Qeverisë, është afati 15-ditësh që nga dita e dekretit të Presidentit, dhe se sipas tij kjo kohë është e mjaftueshme për të arritur marrëveshjen.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal me një qëndrim, ka me u shqyrtu brenda organeve të Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo kjo nuk është e fundit. Unë isha dje në një debat tjetër me një deputet të LDK-së, edhe asgjë nuk është e shkrume në libra të shenjtë që s’mundet me lëvizë kërkush, për shkak se kompromisi e kërkon me lëvizë në të dyja anët për me mujt me ba një marrëveshje. Debati nuk është shterrë, afati kohor i vetëm është 15-ditëshi, me marrjen e dekretit të Presidentit, kështu që afati i fundit është, ka edhe 12 ditë ku ne kemi hapësirë që ne me u ul edhe me bisedu, edhe brenda LVV-së edhe brenda LDK-së, ka deputet për shkak se ata janë përfaqësuesit e popullit që thonë se nuk ka kurrgjë të ngurtë. Hapësira për me vazhdu bisedimet edhe për me gjet marrëveshjet për shkak të një premtimi që e kemi dhanë na, për shkak edhe nuancave të vogla që dallojmë, unë mendoj që është i pandalshëm edhe afati kohor është i mjaftueshëm për me gjet një zgjidhje”, tha Basha.

I pyetur nga telegrafi nëse mundësitë që marrëveshja të bëhet gjatë kësaj jave, Basha tha se kjo edhe mund të ndodh, por se ai nuk beson që kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave.

“Ka mundësi të ketë edhe nesër, por nuk besoj që ndodh kjo, por megjithatë mundet me ndodh edhe gjatë kësaj jave, nëse ulemi e bisedojmë me LDK-në edhe ata vijnë ë me një opsion tjetër, edhe na me ni zgjidhje tjetër, ulemi edhe i shtjerrim të gjitha mundësitë. Hapësira për me gjet zgjidhje ekziston, duhet veç vullneti me u ul, që mos me i qit ato nëpër libra të shenjta se s’janë qëndrime të ngurta që nuk guxojnë me lëvizë prej njëra-tjetrës. Kështu që unë besoj se zgjidhje ka, e se kur ka me ndodh, unë besoj që ka me ndodhë para afatit, që është deri më 4 shkurt”, u shpreh Basha.

Deputeti i LVV-së, foli edhe në lidhje me shkarkimin e mundshëm të Glauk Konjufcës nga posti i Kryeparlamentarit. Sipas tij tashmë kjo mund të ndodh sepse ka kaluar nëpër një proces të rregullt të votimit në Kuvendin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat