Krasniqi për krerët e partive: Janë gjela me njëri-tjetrin, e me të tjerët si pula të lagura

Aktuale

Krasniqi për krerët e partive: Janë gjela me njëri-tjetrin, e me të tjerët si pula të lagura

Më: 23 janar 2020 Në ora: 20:35
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se që 10 vjet udhëheqësit e partive politike pa përjashtim nuk kanë vesh për të dëgjuar as sy për të parë.

Sipas tij, ata dinë ta mohojnë njëri-tjetrin duke vendosur vija të kuqe dhe duke krijuar armiqësi.

“Thënë figurativisht, Kryetarët e partive politike në Kosovë po ngjasojnë vetëm me ‘Gjelat e krekosur maje plehut’, në raport me njëri tjetrin. Do të ishte, mbase mirë, që ketë krenari prej gjeli/gjelash ta kishin më të gjithë ata që komunikojnë?! Por jo, gjela janë vetëm me njëri – tjetrin, se me të tjerët ‘bëhen si pulat e lagura’?! Dhe kjo është tepër e dukshme ose kurrë nuk ka qenë më e dukshme”, ka thënë ai nëpërmjet një shkrimi.

Krasniqi thotë se zhvillimet e fundit ia kanë forcuar bindjen se krerët e politikës nuk kanë asnjë virtyt prej udhëheqësi në personalitetin e tyre, duke shtuar se nuk kanë integritet e dinjitet për të drejtuar kombin a një pjesë të tij, madje nuk dinë as të komunikojnë si njerëz me njëri – tjetrin, për çka kanë marrë përgjegjësi për të udhëhequr me bashkëkombësit dhe qeverisur me pasurinë kombëtare.

Prandaj, sipas tij, kombi gjendet këtu ku është dhe është tepër keq, sa nuk dinë “udhëheqësit”, ta vlerësojnë asnjë vlerë.

“Dhe jo vetëm kaq, por antivlerat janë duke na u bërë vlera?! Pse? Pse ata që dolën nga vlerat e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, prezantuan vetëm antivlera. E dhimbshme kjo. Me këtë mentalitet gjelash e qyqaresh në një anë, e në anën tjetër, me pa aftësinë për t’i zgjedhur problemet e mbetura politike që gati dhjetë vjet, pse nuk dinë të ndërtojnë ura komunikimi mes vetës, pasojat po bien mbi qytetarët të cilët po detyrohen që perspektivën e sigurinë për jetën e familjet e tyre ta kërkojnë në ikje nga atdheu. Kjo është tepër e dhimbshme! Kur dihet se cila ishte dashuria e njerëzve për t’u kthyer në Kosovë, para njëzet viteve”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, me këta njerëz të pa virtytshëm, të padijshëm, të papërgjegjshëm e të pa integritet ose thënë më mirë, pa largimin e këtyre njerëzve nga politika dhe institucionet e shtetit, kriza e përgjithshme vetëm sa do të thellohet.

Krasniqi thotë se kjo ndodhë për shkak të papërgjegjësisë në zgjedhjen e përfaqësuesve të popullit.

“Kështu është dhe kështu do të jetë përderisa zgjedhjen e atij që do të na përfaqëson e zgjedhim për tri euro ose pse na mashtron apo premton një vend pune?! Rrugën që të çon në bunar, duhet domosdoshmërish ta shmangim. Përndryshe në fundin e saj na pret bunari! A po e shohim këtë? Politika shqiptare është verbuar për pushtet e tenderë. Kështu si kemi komunikuar mes veti edhe për çështjet më vitale të kombit, ashtu edhe siç kemi qeverisur (si është në se keqi gjatë viteve të Pavarësisë), vendimet për Ne do t’i marrin të tjerët?! Pse mos t’i marrin, kur ne u treguam të pa denjë për t’i marrë vendimet e duhura”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm ky fakt do të duhej të ishte i mjaftueshëm, që ata që na qeverisen deri tash, ta harrojnë politikën dhe qeverisjen. Mbase këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit me moral.

“Politikës sonë duhet t’ia kthejmë moralin Skënderbegas! Por sa jemi gati për këtë”, ka pyetur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat