Muhaxhiri: Politikanët tanë si ‘Piter Pani’ – refuzojnë të rriten

Aktuale

Muhaxhiri: Politikanët tanë si ‘Piter Pani’ – refuzojnë të rriten

Më: 23 janar 2020 Në ora: 23:39
Artan Muhaxhiri

Analisti politik Artan Muhaxhiri tha se zgjidhja e problemit mes Kosovës dhe Serbisë është në interes të politikës së jashtme të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

Muhaxhiri tha se pikërisht për këtë Trump e ka dërguar ambasadorin Richard Grenell në Kosovë që t’i jep fund konfliktit të këtyre dy vendeve.

“Për të gjithë ata që i kanë përcjellë zgjedhjet në Amerikë e dinë se politika e jashtme ka shumë ndikim qoftë në ‘primaries’ brenda partive qoftë edhe në mes të kandidatëve për president. Është një ide që secili president amerikan të ketë nga një një armik të madh dhe nga një sukses të madh në politikën e jashtme. Pra, vazhdimisht i kemi parë Bushin me Bin Ladenin, Clintonin me Millosheviqin, Bushi i vjetër me Saddam Hussein, tash edhe Trumpi me Iranin. Secili e ka nga një armik që është i përshtatshëm edhe për aspektin media që luftohet për ta garantuar sigurinë e amerikanëve”.

“Po ashtu edhe nga një sukses që secili president amerikan tenton që ta aplikojë atë idenë e superfuqisë amerikane si një kujdestar dhe mbikëqyrës i vatrave të problemeve dhe zgjidhjen e tyre. Sikur ajo në mes Palestinës dhe Izraelit, si në Ballkan e kështu me radhë”.

Muhaxhiri tha se çështja e Kosovës ka qenë temë edhe në debatet në SHBA, prandaj kjo do të jetë një aset politik i presidentit amerikan që ta prezantojë si sukses të tij në zgjedhjet e këtij viti.

“Rasti i Kosovës është përmendur shpesh edhe në debatet presidenciale, pra është një aset politik për Trump nëse eventualisht arrin që ta zgjidhë sepse do të mund të krenohet në zgjedhjet e 3 nëntorit që mbahen sivjet. Ky është një angazhim i madh sepse konflikti dhe luftërat mes shqiptarëve dhe serbëve janë shekullore dhe Trump do ta shfrytëzojë këtë duke e rolin e Clinton dhe raportin e shqiptarëve që e kanë me të”.

“Pra, është një konflikt shekullor dhe nëse Trump e arrin që të bëjë një marrëveshje nën patronatin e tij në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë, ai do ta vlerësojë dhe do ta përmendë shpesh si arritje të madhe në politikën e jashtme, posaçërisht kur dihet se i kanë munguar. Ekziston një imazh që ai është shumë brutal dhe nuk e çan kokën për problemet dhe balancat ndërkombëtare. Pra, është një temë që i konvenon shumë Trumpit që ta zgjidhë”.

Muhaxhiri në Zona e Debatit deklaratën e Grenell që ai ka ardhur për arsye ekonomike dhe jo për ato politike po e sheh si një fshehje të vërtetës me arsyen që të mos ndërhyjë në problemet e një shteti sovran.

“Kjo pak është qasje frojdiane. Bash për atë që kanë folur e thonë të kundërtën duke tentuar ta fshehë e thotë pikërisht të kundërtën dhe për këtë arsye që nëse Grenell ka thënë se nuk kanë biseduar atëherë duhet kuptuar se kanë biseduar”.

“Ekziston një kurtuazi që mos të ndërhyhet në vendimmarrjet e një shteti sovran dhe prandaj kjo ka qenë deklarata para kamerave, por jam i sigurt që prapa kamerave Grenell ka ardhur posaçësrisht i lidhur edhe me afatin e nesërm që Mustafa i dha Kurtit për koalicionin”.

Analisti Muhaxhiri ka kritikuar edhe politikanët kosovarë që nuk janë të gatshëm për të arritur aleancat vetë dhe pa ndihmën e një faktori të jashtëm.

“Pra, është një lloj ambalazhimi simbolik dhe figurativ i fundit të këtyre negociatave. Për fat të keq duket që politikanët tanë janë bërë si ai personazhi i Piter Pan që nuk dëshiron të rritet dhe t’i marrë përgjegjësitë që korrespodojnë për moshën dhe statusin social. Është një lloj skene jashtëzakonisht irrituese, e palogjikshme dhe e paarsyeshme që vazhdimisht të bëhet kjo performancë ku faktorët e brendshëm nuk merren vesh dhe pastaj vjen një përfaqësues i Amerikës”.

“Sot është një shije e keqe dhe shenjë e mungesës së vullnetit për emancipim dhe avancim nëse nuk arrihet të bëhet asnjë aleancë e madhe pa involvimin e SHBA-së, pa ndërhyrjen qoftë të fortë, qoftë të butë në këtë konstalacion. Është imazh zhgënjyes për politikën kosovare dhe për këtë refuzimin e pakuptueshëm që të arrihet diçka e madhe vetë me vullnet, dije dhe me një koordinim të brendshëm”.

Muhaxhiri tha se presidenti Hashim Thaçi e ka një pozitë më të veçantë edhe në raport me SHBA-në por edhe me përfaqësimin e Kosovës.

“Dihet që Thaçi konsiderohet si aleat i besueshëm që mund t’i realizojë edhe agjendat e SHBA-së në Kosovë si një person që nuk i thotë jo agjendave amerikane gjeopolitike dhe strategjike”.

Muhaxhiri thotë se nëse dështon koalicioni mes Vetëvendosjes dhe LDK-së dhe nëse do të refuzohej mundësinë që po e jep SHBA në arritjen e marrëveshjes me Serbinë – do të ishte tragjike.

“Nëse nuk ndodh koalicioni me Vetëvendosjen dhe LDK-në, fillimisht është ky zhgënjimi emocional dhe humbja e shpresës për një ndryshim konstruktiv me anë të votës dhe një rikthim i të gjithë atyre politikanëve që kalkulimin e vetëm të interesit e kanë si alfa dhe omega dhe nuk kanë asgjë tjetër përtej asaj, pra një lloj asgjë darvinizmi në politikë pa një tendencë të përmirësimit të kësaj kulture politike dhe fillimit të emancipimit më të madh në raport me gjendjen aktuale”.

“Zgjedhjet e reja nuk janë një opsion realist dhe as kjo qeveria eksperimentale e Kurtit nuk është shumë për shkak të sfidave që ballafaqohet Kurti do ta kishte të vështirë të ballafaqohet edhe me LDK-në e lëre më pa të sepse do të merrte alibi për mossukseset e tij sepse do të kishte probleme edhe me llogaridhënie”.

“Nëse i pari nuk mund ta bëjë qeverinë duhet ta bëjë i dyti dhe mendoj se kjo duhet të ishte e logjikshme t’i jepej Isa Mustafës, si përfaqësues i partisë së dytë. Mendoj që ndonjë lloj i qeverisjes së përbashkët me afat të caktuar dhe me tema të caktuara do të ishte opsion më realist sepse nuk besoj që ndonjë opsion tjetër. Duhet të darkodohen paraprakisht edhe për çështjen e dialogut nëse dakordohen për një qeverisje të tillë.

“Nëse e refuzojnë këtë ofertë të Trumpit dhe të SHBA-së për përfundimin e negociatave me Serbinë, pra për dhënien e epilogut atëherë do të hyjmë me një paqartësi historike. Do të kemi refuzim nga aleatët tanë dhe e dyta do të punojmë shumë për të ardhur në këtë pikë ku jemi tash. Do të ishte tragjedi po të humbej ky rast sepse askush nuk mund të garantojë se do të vijmë në këtë momentum ku jemi. Pra, do të ishte një tragjedi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat