A po jetësohet propozimi i Haradinajt për një konferencë ndërkombëtare, Grenell të njëjtën gjë i ka ofruar Vuçiqit

Aktuale

A po jetësohet propozimi i Haradinajt për një konferencë ndërkombëtare, Grenell të njëjtën gjë i ka ofruar Vuçiqit

Më: 24 janar 2020 Në ora: 17:23
Ramush Haradinaj

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, para një viti u kishte shkruar vendeve të QUINT’it, duke propozuar që të organizohej një konferencë ndërkombëtare për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe gjatë kësaj periudhe të suspendohej taksa për mallërat serbe.

Një konferencë të tillë ndërkombëtare për këtë çështje, mediat serbe raportojnë që sot ia ka propozuar presidentit Aleksandar Vuçiq, edhe i dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell.

Grenell edhe gjatë qëndrimit në Kosovë, tha se SHBA dëshiron një marrëveshje të shpejtë. Të njejtën gjë e ritheksoi edhe gjatë vizitës në Beograd, ku për më tepër tha se nëse kjo nuk arrihet atëherë SHBA do të tërhiqet nga përpjekja për të ndihmuar arritjen e një marrëveshje finale në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Në anën tjetër, mediat serbe duke u thirrur në burime, raportojnë se Grenell i ka propozuar presidentit serb, një model si ai i Deytonit, ku për gjetjen e një marrëveshje finale do të organizohej një konferencë ndërkombëtare. Grenell sikurse në Prishtinë, edhe në Beograd, i ka përmendur investimet e mëdha amerikane dhe europiane, që do të vinin pas arritjes së kësaj marrëveshje.

Por, një model të njejtë para një viti kishte propozuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj, në kohën kur bashkësia ndërkombëtare po i bënte presion që ta hiqte taksën 100% të vendosur ndaj produkteve serbe.

Haradinaj me këtë rast u kishte shkruar një letër vendeve të QUINT’it, SHBA’së, Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe Italisë, ku kërkonte organizimin e një konference ndërkombëtare nga ana e këtyre shteteve, ku do të provohej gjetja e një pajtimi për marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Të iniciohet dhe mbështetet një konference ndërkombëtare, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. SHBA dhe BE të japin zotime publike dhe të garantojnë që në konferencë ndër të tjera nuk do të ketë çfarëdo rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre”, shkruante ndër të tjera, kryeministri Haradinaj në letrën e tij, dërguar ambasadorëve të vendeve të QUINT’it.

Megjithatë, gjërat kanë ndryshuar shumë nga ajo kohë, sa i përket liderëve që pritet të drejtojnë procesin e dialogut Kosovës – Serbi. Tani kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, pritet të jetë në opozitë, dhe në krye të qeverisë të vijë Albin Kurti, i cili në gjithë historinë e tij politike, ka qenë kundër negociatave me Serbinë.

Madje ai kishte kundërshtuar edhe marrëveshjen e Rambujesë, atë të Vjenës për Pakon e Ahtisarit, në bazë të së cilës edhe u shpall pavarësia e Kosovës, por edhe negociatat e filluara më vonë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE’së.

Kurti, gjatë fushatës së fundit zgjedhore, por edhe pas fitimit të zgjedhjeve, ka deklaruar se nuk do të pranojë negociata të përshpejtuara. Ai ka thënë se fillimisht do të flas me serbët lokal, do t’i shqyrtojë marrëveshjet e kaluara mes dy vendeve, dhe tek pastaj të fillohet një dialog i ri në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat