Juristi i Vetëvendosjes tregon pse nuk mund të shkarkohet ose dorëhiqet Konjufca - Bota Sot
Juristi i Vetëvendosjes tregon pse nuk mund të shkarkohet ose dorëhiqet Konjufca

Aktuale

Juristi i Vetëvendosjes tregon pse nuk mund të shkarkohet ose dorëhiqet Konjufca

Nga: A.ZH Më: 24 janar 2020 Në ora: 21:08
Glauk Konjufca

Juristi nga Lëvizja Vetëvendosje Getoar Mjeku, ka thënë se kërkesa për dorëheqjen ose shkarkimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, nuk përkon me frymën kushtetuese.

Ai ka kujtuar se si më 2018, Gjykata Kushtetuese pat lënë në detyrë nënkryetaren Aida Dërguti, duke vlerësuar se Kuvendi nuk detyrohej ta shkarkonte, ani pse ajo nuk përfaqësonte më subjektin që e kishte propozuar për nënkryetare.

Mjeku ka ripërsëritur se koalicioni mes VV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, mund të bëhet edhe pa e prekur pozitën e kryeparlamentarit, përjcell Bota sot.

Postimi i plotë i Mjekut në Facebook:

Kërkesa për dorëheqjen ose shkarkimin e kryekuvendarit Glauk Konjufca nuk përkon me frymën e kushtetutës. Po ripostoj ç'kam thënë javën e kaluar:

Kryesia e Kuvendit parimisht zgjedhet për të shërby deri kur t'u soset mandati të gjithë deputetëve. Kryetari e nënkryetarët e legjislaturës kosovare nuk bën të shkarkohen e të ndërrohen lehtë.

Më 2018, Gjykata Kushtetuese pat lënë në detyrë nënkryetaren Aida Dërguti, duke vlerësu se Kuvendi nuk detyrohej ta shkarkonte ani pse ajo nuk përfaqësonte ma subjektin që e kishte propozu për nënkryetare (KO84/18).

Për ta shkarku kryeparlamentarin, kushtetuta lyp me qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve (neni 67.5). Kjo dispozitë arsyeton pritshmërinë se kryeparlamentari caktohet për të shërby deri në fund, dhe nuk shkarkohet pa ndonjë shkas detyrues. Për pritshmërinë e qytetarëve rreth kohëzgjatjes së shërbimit ka folë gjykata jonë kur ka hedhë poshtë propozim-amendamentet kushtetuese që do t'ia shkurtonin mandatin presidentes Jahjaga (KO48/12).

Ka juristë që kryesinë e Kuvendit e ndajnë nga marrëveshja për qeverisje, duke marrë për shembull traditën e demokracive parlamentare në Evropë. Me fjalë të tjera, koalicioni mund të bëhet pa e ngucë kryekuvendarin. Dhe këtë mund ta kuptojë kollaj kushdo që ka vullnetin për ta jetësu ndryshimin e madh që kërkon populli i Dardanisë.

Por detyrat kur caktohen nuk bëhen trambë pa trazim. Në rastin tonë, pazari me kreun e parlamentit rrezikon me faktorizu ligën e shtetkapësve PANAL, që tok njehin 53 deputetë. Kështu Panali ka fuqi të vetos kur zgjedhen a shkarkohen kryesia e Kuvendit dhe kryetari i Republikës.

Kurse Kosovës tani i vyn një udhëheqje e mbarë — një që e shkap shtetin dhe i qet njëherë e mirë prej loje mujsharët dhe zhvatësit e popullit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat