Ambasadori i SHBA-ve në Serbi në linjë me Grenellin: Gjërat duhet të lëvizin më shpejtë

Aktuale

Ambasadori i SHBA-ve në Serbi në linjë me Grenellin: Gjërat duhet të lëvizin më shpejtë

Më: 25 janar 2020 Në ora: 14:40
Richard Grenell

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Anthony Godfrey shpreson që dialogu Prishtinë-Beograd të rinisë së shpejti.

Sipas tij është e turpshme që të humbet gjithë ajo kohë dhe tashmë shpreson që gjërat do të lëvizin më shpejtë.

“Sipas mendimit tim, është turp të humbet kohë. Shpresojmë që gjërat do të lëvizin më shpejtë”, citohet të ketë thënë Godfrey.

Sipas N1 serb, Godfrey ka kujtuar se presidenti amerikan, Donald Trump e ka bërë të qartë që zgjidhja e problemit Kosovë – Serbi është prioritet.

Godfrey është shprehur se kjo është arsyeja pse Trump ka emëruar si Përfaqësues Special Richard Grenellin dhe gjithashtu ka emëruar Matthew Palmer si Të Dërguar të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

“Shume energji e SHBA-ve po investohet në këtë çështje. Ne dëshirojmë të shohim njerëzit në rajon të kuptojnë që përmes interesave ekonomike ky problem mund të zgjidhet”, ka thënë Godfrey ndër të tjera.

Këto qëndrime të ambasadorit amerikan vijnë një ditë pas vizitës së Richard Grenell në Beograd, prej ku edhe u bë publik lajmi për marrëveshjen e radhës që do të arrihet të hënën në Berlin për riaktivizimin e hekurudhës Kosovë-Serbi.

Grenell gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Beograd e ka bërë të qartë se dëshiron zhbllokim të situatës përmes zhvillimit ekonomik, Kosovës i ka bërë kërkesë të heq taksën, ndërkohë Serbisë që të ndalë fushatën e çnjohjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat