LDK ka nisur të ‘reflektoj’ për postin e kryetarit të Kuvendit, pas ofertës së VV-së?! Lutfi Haziri e jep këtë deklaratë

Aktuale

LDK ka nisur të ‘reflektoj’ për postin e kryetarit të Kuvendit, pas ofertës së VV-së?! Lutfi Haziri e jep këtë deklaratë

Më: 26 janar 2020 Në ora: 15:56
Lutfi Haziri

Media ka raportuar se të premten Vetëvendosje i ka bërë një ofertë të re LDK-së.

Burime të afërta me këto dy parti politike, kanë bërë me dije se partia e Albin Kurtit i ka ofruar edhe një ministri shtesë LDK-së së Isa Mustafës. Dhe kjo me qëllimin e vetëm, që Vetëvendosje të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit.

“Në ofertën e fundit që Vetëvendosje ia ka bërë LDK-së, parashihet që partia e Isa Mustafës t’i ketë 7 ministri. Kjo rritje e numrit të ministrive është bërë me qëllim që Vetëvendosje të vazhdojë ta mbajë postin e kryetarit të Kuvendit, ku më 26 dhjetor ishte zgjedhur Glauk Konjufca. Kjo ofertë i është bërë LDK-së gjatë këtyre dy ditëve”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, oferta e re nënkupton edhe shtimin e numrit të ministrive.

Burimi i njëjtë potencon se LDK përveç 7 ministrive, do ta ketë edhe të drejtën që ta propozojë emrin e mandatarit për postin e presidentit, vitin e ardhshëm kur pritet që t’i skadoj mandati presidentit aktual.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur për postin e kryetarit të Kuvendit. Edhe pse nuk e ka theksuar se LDK ka hequr dorë nga ky post, ai e ka komfirmuar se po diskutohen modalitete me VV.

“Nuk shoh ngecje por takim të vlefshëm, i cili ka arritur ta ngritë bisedën në përafrim të arritjes së marrëveshjes në kuadër të parimeve për ndërtimin e kësaj marrëveshjeje”, ka theksuar ai.

“Parimet, ju e dini, janë të lidhura me balancim të përgjegjësive kushtetuese në institucione të shtetit. Në këtë rrafsh, LDK’ja s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin”, tha ai.

“Ndërsa, ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit. 26 dhjetori ka sjellë një situatë të re dhe jemi në përpjekje e sipër për të tejkaluar në mënyrë që LDK’ja me qenë e rehatshme në koalicion, duke e marrë një detyrë kushtetuese deri në zgjedhjen e Presidentit, që parashihet të ndodhë në shkurt të vitit 2021”, tha ai.

I pyetur se cili ishte pozicioni i Kurtit lidhur me qëndrimin e LDK’së se i përket pozita e Kryetarit të Kuvendit dhe a ka dhënë shenja se mund të lëshojë këtë pozitë, Lutfi Haziri tha se nuk ka të bëjë me lëvizje të qëndrimece.

“Nuk ka të bëjë me lëvizje të qëndrimeve as nga LDK’ja dhe as nga VV’ja. Ka të bëjë me nevojën që të diskutohen të gjitha anët e marrëveshjes. Të gjitha anët e marrëveshjes nënkupton që të balancohet, vlerësohet dhe shtrihet ky rol karshi detyrave dhe programit qeverisës që pritet me u votu bashkë me kabinetin qeveritar. Praktikisht, ne po bisedojmë dhe më shumë po bisedojmë sesa po negociojmë për ta mbërritur qëllimin. Qëllimi është të përmbylljet kjo marrëveshje këto ditë, sepse jemi vonë në implementimin e zgjedhjeve të 6 tetorit”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat