I nëpërkëmburi në krye të shtetit të Kosovës

Aktuale

I nëpërkëmburi në krye të shtetit të Kosovës

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 26 janar 2020 Në ora: 19:44
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Na lodhën duke na thënë se si Vetëvendosje me LDK-në na lanë pa qeveri qe 100 e kaq ditë. Duket se çdo ditë që kalon, e këto dy parti nuk merren vesh, shtohet gëzimi i njerëzve të pushtetit të deritashëm. Gëzimi i njerëzve të PDK-së. E të AAK-së. E të Nismës Socialdemokrate.

Po, Vetëvendosje e LDK meritojnë të kritikohen që e zgjatën kaq shumë. Por, duhet ta themi ashiqare: Kosova s’ka pasur qeveri prej shpalljes së pavarësisë. Kosova, kurrë nuk ka pasur qeveri në fakt, nëse bëhemi realë. E ka pasur një president, Rugovën, ndërsa qeveritë ndërroheshin njëra-pas-tjetrës, por nuk na pyesnin për kurrgjë, dhe nuk na përfaqësonin për kurrgjë hiç.

Asnjëra qeveri nuk punoi për interesat tona. E të gjitha punuan për interesa të vetat. Klanore, grupore, individuale, partiake. U ndërruan siç ndërrohen motet, një herë Rexhepi e Kosumi, pastaj Haradinaj 1 e Haradinaj 2, Thaçi 1 e Thaçi 2. Çka qitën në dritë këta të mjerë?

Kosova e ka një mundësi që ta ketë një qeveri të denjë. Një qeveri ku LDK-ja do të ishte më shumë e afërt me LDK-në e presidentit Rugova. Një qeveri siç do ta donte presidenti Rugova. Një qeveri të mbështetur nga populli, dhe që nuk do të na linte në baltë e neveritur prej nesh. Sepse po, o miqtë e mi, ne i neverisim njerëzit e pasur të pushtetit. Ata neveriten nga hallet tona, nga fjalët tona, nga era që mbajmë si mungesë parfumesh të shtrenjta, nga trupi ynë i pastolisur me arturina, nga flokët tanë të palyer me kremëra e çkremëra.

Por tash, do ta kemi Vjosën e Albinin. Dy njerëz që dolën nga shtresa jonë, nga shtresa e mykut e e vllagut, nga shtresa e bukës bajate e e banesave popullore. E të shpresojmë që nuk do të na harrojnë kur të pasurohen e të ulen nëpër karrige. E të shpresojmë edhe që të mos mashtrohen nga mallrat e shtrenjta e të neveriten prej nesh, si këta të fundit.

Kosova e meriton një qeveri që i del zot këtij mileti. Që e mbron nga padrejtësitë e panumërta që iu bënë. Vrasjet e pasluftës duhet të ndriçohen. Çdo sulm në fakt do të duhej të ndriçohej. Por, për t’u bërë një gjë e tillë, do të duhej që drejtësia të mos punonte më për majën, por për fundin. Të kishte më shumë empati për një qytetar tesha-çkyer se sa për një të parfumosur të pushtetit. Apo ish pushtetit.

Ne jemi lënë të shtypur tash e sa e sa kohë. Pa qeveri, pa institucione që na përfaqësojnë. Ne, qytetarët e thjeshtë, nuk është se dallojmë aq shumë nga qytetarët e përvuajtur të ndonjë qyteti të varfër brazilian, ta zëmë. Të varfër, të keqshfrytëzuar, të uritur për pak dritë, e për pak perspektivë, të uritur për kushte më të mira. Ata që kanë trashëguar diçka nga familja, mirë, ata që s’kanë trashëguar asgjë, e pafshin veten në qafë. E një i ri nuk ka as se kah t’ia mbajë me rrogën e vogël që merr. Që është rrogë për gjynah, që as s’ta mbush cullën me bukë, e as s’të lë të vdesësh.

Por, një qeveri e re po vjen. Një qeveri që ndoshta do të na dojë më shumë. Një qeveri që s’do të mendojë vetëm për vete. Një qeveri së cilës do t’i bënte më shumë për hallet tona, për kërkesën për drejtësi, për kërkesën për perspektivë, për ndryshim.

Ky u quajt me të drejtë koalicion i ndryshimit. A e dini pse? Sepse gjërat po shkonin kundër nesh. Sepse, ndryshimi nënkupton një ndryshim të qasjes ndaj nesh, ndaj popullit. Sepse, ne jemi ose duhet të jemi në krye të qeverisë. Demos në demokraci nënkupton popullin. E populli duhet të mbajë pushtetin. Por, deri tash ky pushtet na u vodh e na u vodh.

Pra, nuk po flasim këtu për Albin Kurtin a për Vjosa Osmanin, po flasim për rimëkëmbjen e dinjitetin tonë, për rikapjen e fronit sundues nga populli. Është populli ai që duhet të gëzojë të drejtën për të vendosur për fatin e tij. Për problemet e tij.

Nga unë, edhe Albin Kurti por edhe Isa Mustafa e kanë hallall zvarritjen e deritashme nëse ia dalin të rikthejnë pushtetin te ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat