Oferta e së premtes e VV-së: Kabineti Kurti me 15 ministri, 7 LDK, 5 VV, 3 minoritetet. Kryeparlamentari s’preket, presidenti LDK-së

Aktuale

Oferta e së premtes e VV-së: Kabineti Kurti me 15 ministri, 7 LDK, 5 VV, 3 minoritetet. Kryeparlamentari s’preket, presidenti LDK-së

Më: 26 janar 2020 Në ora: 20:18
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Oferta e fundit që iu dha LDK-së nga Vetëvendosje, e që u bë ditën e premte, parashihet që kabineti qeveritar t’i ketë gjithsejtë 15 ministri.

Sipas kësaj oferte, Vetëvendosje nga 12 ministri sa fillimisht kishte premtuar se do t’i ketë kabineti qeveritar, do të rritet edhe për 3.

”Propozimi i fundit i VV-së për LDK-në parasheh që Qeveria Kurti t’i ketë 15 ministri. 7 do t’i takojnë LDK-së, 5 Vetëvendosjes dhe 3 minoriteteve”, tha ky burim.

Dje media ka raportuar se Vetëvendosje e ka rritur ofertën me një ministri shtesë në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit.

Siç edhe dihet, pas zgjedhjes së Konjufcës në krye të Kuvendit, Vetëvendosje fillimisht i kishte ofruar LDK-së një ministri shtesë në kompensim të kryetarit të Kuvendit. Mirëpo, të premten kjo ofertë e VV-së është rritur edhe për një ministri shtesë.

Sot, gjatë ditës nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka pranuar se të premten ka pasur takim ndërmjet dy partive, por pa dhënë detaje të shumta.

Megjithatë, ai indirekt e ka refuzuar ofertën e fundit të Vetëvendosjes, duke insistuar se posti i kryetarit të Kuvendit i takon LDK-së.

“Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV’në udhëheqëse të Qeverisë e LDK’në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re”, ka shkruar ai.

Sipas tij, e kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së. Partitë e tjera politike, siç tha Haziri nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë.

“Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+“, ka shkruar ai.

Ndërkohë zyrtarisht as nga VV as nga LDK nuk kanë dhënë detaje për ofertën e fundit të partisë së Kurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat