Kurti: Në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë marrëveshjen

Aktuale

Kurti: Në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë marrëveshjen

Më: 27 janar 2020 Në ora: 16:50
Albin Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka qëndruar në Prizren me rastin e Ditës Përkujtimore të Holokaustit, ku ka folur për mbarëvajtjen e bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar tre muaj negociata, Kurti nuk mendon që është vonë për arritjen e marrëveshjes dhe krijimin e qeverisë.

Ai para gazetarëve në Prizren, ka thënë se e kupton që ka frustrim të madh, por tashmë janë afatet kushtetuese dhe qytetarët nuk do të presin më gjatë se në fillim të javës së ardhshme.

Kurti: Në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë më në fund marrëveshjen

“Mund të thuhet që ne jemi duke u zgjatur për vetëm një muaj me qenë se deri me datën 26 dhjetor nuk ka qenë në dorën tonë, seanca konstituive e legjislaturës së shtatë u pat caktuar nga presidenti më 26 dhjetor dhe deri më 26 dhjetor, nuk kemi pasur çfarë të bëjmë, por që nga 26 dhjetori e këtej me siguri që sa më shpejt aq më mirë, por po e bëmë sot ose po e bëmë këtë javë unë nuk mendoj që është tepër vonë, në përgjithësi si shtet jemi vonë, por nuk është tepër vonë dhe me besimin e mirë me urimet dashamirëse me vullnetin edhe përkushtimin që kam duke qenë i përgjegjshëm ndaj qytetarëve, jo vetëm unë, por të gjithë ne që po negociojmë besoj që në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojmë më në fund marrëveshjen”, tha Kurti.

I pari i LVV-së, Albin Kurti, bëri të ditur për mediat që komunikimin me LDK-në e kanë pasur të vazhdueshëm dhe që sot do të kenë takimin e radhës, në përpjekje për të finalizuar marrëveshjen bashkëqeverisëse.

Ndër të tjerash Kurti bëri të ditur se në qeverisjen e tyre do të jenë të pranishme edhe pakicat dhe përfaqësuesit e tyre, në mënyrë që përfundimisht vitin 2020  të fillojë me një qeverisje të mbarë e të mirë dhe me program të harmonizuar.

Kurti: Komunikimin e kemi pasur të vazhdueshëm dhe do të takohemi sot

“Tema është ajo e njëjta, pra si ta rrumbullakojmë marrëveshjen përfundimtare për koalicionin qeverisës midis LVV dhe LDK, pastaj nga lartësia e asaj marrëveshje do të ishte shumë kollaj që edhe pakicat dhe përfaqësuesit e tyre t’i përfshimë në qeverisjen tonë, në mënyrë që përfundimisht vitin 2020, pra këtë dekadën e tretë të këtij shekulli ta fillojmë me një qeverisje të mbarë e të mirë, me program të harmonizuar, i cili do ta ketë reformën e pesëfishtë edhe për drejtësi edhe për siguri edhe për ekonomi edhe për shëndetësi edhe për arsim, sepse populli kështu ka votuar më 6 tetor të vitit të kaluar dhe ky është interes edhe i qytetarëve edhe i shtetit tonë. Ne do të takohemi sot, komunikimin e kemi pasur të vazhdueshëm pozicionet i kemi të qarta, pozicionet tona i korrespondojnë qëndrimeve tona, propozimeve tona të shprehura nga Lidhja Demokratike e Kosovës më datën 8 janar, ndërkaq nga LVV, më datën 9 janar në takimet, të cilat i patëm zhvilluar ato dy ditë, kur kishte më shumë se një javë para se ne ta dorëzojmë propozimin për mua si mandatar, si kryeministër i ardhshëm te presidenti i Republikës, këto pozicione tona do të përpiqemi që t’i përafrojmë në mënyrë që ta kurorëzojmë me marrëveshje”, u shpreh Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat