113 ditë pas zgjedhjeve rreth 20 takime mes VV-së e LDK-së: A do të arrihet sot marrëveshja?

Aktuale

113 ditë pas zgjedhjeve rreth 20 takime mes VV-së e LDK-së: A do të arrihet sot marrëveshja?

Më: 27 janar 2020 Në ora: 17:34
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe i LDK-së, Isa Mustafa, kanë hyrë dhe në një takim para pak çastesh në tentimin e fundit për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës ose për të shpallur zyrtarisht dështimin.

Mustafa para hyrjes në takimin që po mbahet në Kuvend, nuk ka dhënë siguri se do të arrihet marrëveshja, me ç’rast ka deklaruar se “jemi të vullnetshëm për marrëveshje në mënyrë që të procedojmë mëtutje”.

Në këtë takim këto parti kanë hyrë pa lëshuar pe ndaj njëra-tjetrës, ku VV thotë se nuk heqin dorë nga kryekuvendari, kurse LDK e do me kusht këtë pozitë.

Megjithatë mbetet të shihet nëse do të arrihet marrëveshja mes këtyre dy partive që t’i hapin më pas rrugë formimit të qeverisë.

Deri në takimin e sotëm, VV e LDK kanë mbajtur rreth 20 takime, ku edhe pse premtuan se Brenda 72 orëve do dakordohen për qeverinë, këtë nuk ia arritën qëllimit.

Por cilat janë ofertat e fundit që dy partitë i bën njëra-tjetrës, çka u bllokuan bisedimet, deri ditën e sotme.

Më 14 janar, Kurti i dërgoi letër Mustafës, ku i bëri ofertë për rritjen e shtimit të ministrive nga 12 në 14 sosh, me ç’rast VV i ka 5 ministri kurse ldk 6 ministri, si dhe për Presidentin bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.

Këtë propozim LDK nuk e pranoi, dhe një ditë pas i dërgoi propozim VV-së.
LDK-ja i tha VV-së se e do kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë partisë së Kurtit.

Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).

Kurse sa i përket numrit të ministrive LDK i tha VV-së se duhet të mbete në 12, siç janë dakorduar më herët, me përjashtim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Kurse sa i përket Presidentit, LDK tha se partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, do të përkrahin kandidatin e propozuar prej tyre.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, LDK tha se deri në zgjedhjen e Presidentit: VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri.

Kurse pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.

LDK në fund të propozimit të saj tha se të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat