Kryetarët e komunave që po merren nga afër me formimin e Qeverisë

Aktuale

Kryetarët e komunave që po merren nga afër me formimin e Qeverisë

Më: 27 janar 2020 Në ora: 20:25
Foto ilustrim

LDK dhe VV ka kohë që janë në bisedime për të krijuar Qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Dy partitë janë takuar disa herë mes tyre, dhe përveç eksponentëve kryesorë, akterë kanë qenë edhe kryetarët e komunave, që u takojnë këtyre dy subjekteve. Përmes ultimatumeve, roleve në bisedimet zyrtare dhe basteve nëpër studio televizive, secili prej këtyre kryetarëve u përfshi në bisedimet që po marrin shumë kohë të vijnë në një përfundim.

Duke filluar nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e deri tek kryetarët e Gjilanit, Pejës, Prizrenit e edhe Podujevës, këta kryetarë luajtën një rol në dinamikat e bisedimeve për koalicion që ende nuk ka një epilog.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri u anëtarësua në VV pak para fillimit të fushatës zgjedhore, dhe me vete solli mbi 600 anëtarë tjerë. U shqua për paraqitjet e tij nëpër emisione. I pari i Mitrovicës vuri bast me moderatorë të shumtë për numrin e deputetëve që do të kishte VV’ja dhe nëse koalicioni do të arrihej para datës së konstituimit të Kuvendit. Ai humbi të dyja bastet.

U mundua të luaj një rol konstruktiv, duke u takuar privatisht me nënkryetarin e LDK’së, Agim Veliu.

Së fundi u lidh drejtpërdrejt në Pressing të T7 duke thënë se nuk e kupton pse LDK po kërkon t’i kthehet kryeparlamentari dhe t’ia kthejë VV’së përsëri pas zgjedhjes së presidentit. Ai aludoi se presidenti i ri do të zgjedhet pas gjashtë muajve pasi që presidenti aktual do të japë dorëheqje.

“Thaçi do të japë dorëheqje pas gjashtë muajve për shkak të Speciales”, deklaroi Bahtiri.

Një kryetar tjetër i komunës nga radhët e VV’së ishte më pak i zëshëm rreth koalicionit. 

Mytaher Haskuka, kryetar i Prizrenit, dërgoi sinjale në Prishtinë me anë të disa postimeve në Facebook.

Haskuka, doli në foto disa herë me kryetarin e degës së LDK’së në Prizren, Anton Quni. Të dy së bashku kërkuan që të jenë shembuj të konstruktivizmit dhe arritjes së marrëveshjes edhe në nivel qëndror.

Ndërkohë kryetarët e LDK’së, për dallim prej atyre të VV’së, kishin një rol më të madh për shkak të pozitave të tyre brenda partisë.

Nënkryetari i Parë i LDK’së, Agim Veliu, ishte më antagonist në negociata. Sipas nënkryetarit të VV’së, Besnik Bislimi, ai është cituar të ketë thënë disa herë gjatë shpalosjes së ofertave “Çohuni se nuk paska asgjë këtu”. Ai kritikoi nënkryetaren e LDK’së, Vjosa Osmani, pasi që kjo e fundit kishte shkuar së bashku me liderin e VV’së, Albin Kurti, për të dhënë nënshkrimin e tyre si deputet.

Në anën tjetër kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, pas ngacmimeve të shumta që i bëri VV’së gjatë fushatës zgjedhore, vendosi të bëhej më i heshtur gjatë bisedimeve. Gjatë fushatës ai kishte quajtur VV’në “Parti e Kuqe” dhe me “Vija ideologjike të majtës ekstreme”. Pastaj e quajti Kurtin “Mr.Bini”. Por ishte pjesë e disa takimeve të suksesshme për përafrim të programit qeverisës. Në intervistat e fundit ka kërkuar durim nga qytetarët gjatë bisedimeve.

Së fundi, aktiv ishte edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri. 

Anëtari i Kryesisë së LDK’së, gjatë fundit të vitit të kaluar kishte thënë se arritja e një marrëveshje është e sigurt. Javën e kaluar dha një ultimatum se nëse nuk arrihet marrëveshja deri këtë të diel, atëherë nuk do të ketë marrëveshje fare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat