I jepet lamtumira e fundit policit të vrarë në Zhur

Aktuale

I jepet lamtumira e fundit policit të vrarë në Zhur

Më: 29 janar 2020 Në ora: 15:33
Ceremonia e varrimit të pjesëtarit të policisë

(E plotësuar) - Me nderime të larta shtetërore sot është bërë varrimi i pjesëtarit të Policisë së Kosovës Sami Thaçi, i vrarë mbrëmë në krye të detyrës gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Zhur të Prizrenit.

Varrimi i policit Thaçi u bë në vendlindjen e tij në Shkarashnik të Malishevës, ku nga kolegët e tij ai u vlerësua si një hero që asnjëherë nuk kurseu asgjë për t'i shërbyer atdheut, madje as jetën e tij.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashid Qalaj, tha se po ndahen nga një koleg që ishte i gatshëm t'i shërbejë atdheut të tij. Qalaj tha se prej kur i është bashkuar Policisë së Kosovë, Sami Thaçi ishte shembull i humanitetit, personifikim i heroit, policit që nuk u kursye asnjëherë për të demonstruar fuqishëm përkushtimin për rend dhe ligj.

Qalaj: Sami Thaçi ishte gjithmonë i gatshëm për sakrifica

"Është shumë vështirë për mua si epror të gjej fjalë për zyrtarin policor të rënë në krye të detyrës, por në të njëjtën kohë tregon përkushtimin e zyrtarit policor për t'u përgjigjur situatave emergjente dhe të rrezikshme kur kërkohet edhe sakrifica më e lartë për të cilën sakrificë Samiu ishte i gatshëm. Kolegu ynë Sami Thaçi në atë rast gjeti vdekjen, ndërsa pati edhe lëndime të dy zyrtarëve policorë Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj dhe të një fëmije që jetonte në atë shtëpi. Dhimbja e madhe që kemi për Samiun gërshetohet me krenarinë që do të kemi përherë për të, i cili ra në krye të detyrës në mbrojtje të rendit dhe ligjit, pikërisht ashtu siç bëri betimin", tha ai.

Drejtori Qalaj tha se ky rast i rëndë nuk do t'i zmbrapsë, madje tha se do të jetë shtysë për punën e policisë në luftimin e krimit dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.

Qalaj: Sami Thaçi sakrifikoi veten në mbrojtje të fëmijëve të Kosovës

"Ai me uniformën e ndritur të UÇK-së shtegtonte në beteja për çlirimin e vendit dhe Samiu me shumë shokë të tij gjithmonë doli fitimtarë, duke dëshmuar që kjo toke dhe ky vend ka djem që dinë dhe mund të mbrojnë atdheun. E ndritur do të jetë përherë uniforma e tij e Policisë së Kosovës, ku ai u sakrifikua për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të Kosovës", tha Qalaj.

Nga Drejtoria Anti-Drogë, rreshteri Arsim Bytyqi, u shpreh se ndarja nga jeta e policit Sami Thaçi është humbje e madhe për Policinë e Kosovës.

Bytyqi: Humbja e Samiut – humbje e madhe për Policinë e Kosovës

"E kam shumë të vështirë të pajtohem se po mbajë fjalë mortore për Sami Thaçin, kolegun që deri dje ishte pranë nesh. Samiu si pjesëtar i Policisë së Kosovës me vullnet të lartë dhe përkushtim u angazhua dhe punoi për një jetë më të mirë, më të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës. I vetëdijshëm për rreziqet që na përcjellin gjatë luftimit të dukurive negative në shoqëri. Humbja e Samiut nuk është humbje e madhe vetëm për familjen, por edhe për Policinë e Kosovës dhe të gjithë Kosovën. Si pjesëtar i Policisë ka dhënë kontribut të pamohueshëm në parandalimin dhe luftimin e krimit, e posaçërisht drogave", tha ai.

Përfaqësuesi i veteranëve të Kosovës Metush Kryeziu, tha se sot po ndahen nga një person që asnjëherë nuk kurse asgjë për atdheun.

Kryeziu: Familjarë të jeni krenarë që e patët një djalë si Sami Thaçi

"Është vështirë pas 20 vjet të kësaj lirie që e ndërtuam me sakrificë dhe me mund të madh, që e kemi ende të njomë njollat e gjakut që dha shume ky popull për këtë liri e sot të ndahemi nga një polic i Kosovës që ra në shërbim të atdheut. Kjo është një dhimbje kombëtare, por ju familjarë të jini krenarë që e patët një bir dhe ne një shok, e ju Polici e Kosovës një koleg", tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i familjes së policit Sami Thaçi, Naim Thaçi, ka falënderuar të gjithë që këtë ditë po ndajnë dhimbjen me familjen Thaçi.

Thaçi: Faleminderit që e ndatë dhimbjen me ne

"Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të vëllait tonë, faleminderit që ndatë dhimbjen me ne", tha ai.

Polici Sami Thaçi kishte qenë pjesë e UÇK-së, ndërsa në Policinë e Kosovës është inkuadruar më 17 janar 2005 si kadet i gjeneratës së 30-të të Policisë së Kosovës.

Ai ka shërbyer në njësite të ndryshme të Policisë së Kosovës, përfshirë edhe Njësinë Speciale Operative, për të vazhduar së fundi në drejtorinë për hetimin e narkotikëve të Policisë së Kosovës.

Gjatë karrierës është shpërblyer me mirënjohje të ndryshme, përfshirë edhe medaljen për besnikëri. Ka lanë pas vetes bashkëshorten dhe tre fëmijë.

Polici Thaçi u vra mbrëmë gjatë një aksioni bastisjeje në Zhur të Prizrenit. Përveç tij, në këtë aksion janë plagosur edhe dy zyrtarë tjerë të Policisë dhe një fëmijë.

Presidenti Hashim Thaçi, në nderim të veprës së policit të vrarë Sami Thaçi, ka shpallur të enjten ditë zie në Kosovë.

Varroset me nderime të larta polici Sami Thaqi

Është varrosur me nderime të larta pjesëtari i policisë, Sami Thaqi i cili u vra mbrëmë gjatë një aksioni antidrogë në Zhur të Prizrenit.

Në ceremoninë e varrimit në varrezat e fshatit Shkarashnik të Malishevës, përveç qytetarëve morën pjesë edhe një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe figura nga skena politike në vend.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani tregoi se i ndjeri Sami Thaqi kishte shërbyer fillimisht si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e më pas në vitin 2005 iu bashkua Policisë së Kosovës si kadet i gjeneratës së 30-të.

“Duke qenë çdoherë shembull për të gjithë kolegët, i gatshëm për ti shërbyer qytetarëve dhe vendit më 28 janar ra heroikisht në krye të detyrës. Kolegu Thaqi ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, të cilët duhet të ndihen krenar për një baba dhe bashkëshort si Sami Thaqi. Ai do të jetë përherë në mendjet dhe zemrat tona”, ka thënë Kelani.

Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se sot nuk është një ditë e zakonshme, është një ditë aspak e lehtë.

“Nuk është një ditë e zakonshme dhe aspak e lehtë për ne, po ndahemi nga një kontribut dhënës për paqen dhe lirinë e Kosovës. Është e vështirë për mua që të gjej fjalë për zyrtarin policor i rënë në krye të detyrës. Është shumë e rëndë për mua ti drejtohem familjarëve e kolegëve dhe të flas për zyrtarin policior Sami Thaqin i cili ra në krye të detyrës në mbrojtje të rendit dhe ligjit”, tha Qalaj.

Qalaj shtoi se Sami Thaqi prej kur iu bashkua policisë, ishte shembull i humanitetit, i cili nuk u kursye asnjëherë për të dëshmuar përkushtimin ndaj rendit dhe ligjit .

“Ai asnjëherë nuk u zmbraps, guximi i tij i frymëzonte të gjithë kolegët”, tha Qalaj, duke shtuar se ai do të jetë përherë në zemrat dhe mendjet e tyre.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se Sami Thaqi është ndarë vetëm fizikisht, duke shtuar se Samiu do të jetë shembull më i mirë i dinjitetit njerëzor

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat