Deputeti i Vetëvendosjes bën thirrje për marrëveshje mes Kurtit dhe Mustafës, alarmon për rrezikun nga kthetrat serbe

Aktuale

Deputeti i Vetëvendosjes bën thirrje për marrëveshje mes Kurtit dhe Mustafës, alarmon për rrezikun nga kthetrat serbe

Nga: N.H Më: 29 janar 2020 Në ora: 17:08
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Deputeti më i vjetër i Kuvendit të ri të Kosovës, Jahja Koka, i cili vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes një shkrimi të gjatë në Facebook ka folur lidhur me situatën në të cilën janë duke kaluar negociatat mes partisë së tij dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai mes të tjerave në shkrimin e tij ka bërë thirrje që të arrihet marrëveshja sa më parë mes dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Koka në shkrimin e tij thekson se epilogun e ndryshimit të madh e presin jo vetëm populli i Kosovës, VV-ja, por edhe LDK-ja dhe partitë opozitare, të cilat sipas mendimit të tij, nuk janë armiqësore, por vetëm kanë metodologji e qëllime të ndryshme.

Tutje në shkrimin e tij, deputeti i zgjedhur i VV-së, paralajmëron se, “Zëri i zemrave të nxënësve dhe studentëve që po zhyten në mjerimin edukativ, shkollor, të të sëmurëve pa ilaçe, të të rinjve që kanë përgatitë çantat e eksodit për kurbet, të kurbetçarëve që ndajnë kafshatën e gojës për të siguruar burimin kryesor jetësor në Kosovë - remintencat, të rrezikut shumë serioz nga kthetrat serbe, të cilat sot Karl Bildt i konfirmon që po afrohen fuqishëm. Këto le të shërbejnë si kambanë në ndërgjegjen e VV-së dhe LDK-së”.

Ja shkrimi i tij:

Image
Jahja Koka

ZËRI I ZEMRËS SHQIPTARE LIDH MARRËVESHJEN E SHUMËPRITUR

Tik-taku i orës po e afron shumë shpejt fundin “dead lin-in” e marrëveshjes për të qeverisur Kosovën, dhe shthurjes së kësaj drame të cilën qytetarët e përcjellin me shumë shpresë dhe dëshirë që ajo të realizohet. Ata e lidhin këtë shthurje të dramës (disa muajshe), arritjen e marrëveshjes, me jetën e tyre të degraduar tashmë 20 vjet, me dritën në fundin e tunelit, me shumë shpresë për kthesën kah ndryshimi i jetës së degraduar legale-ligjore, materiale, të shkollimit dhe shëndetit të tyre.

Epilogun e ndryshimit të madh e presin jo vetëm populli i Kosovës, VV-ja, por edhe LDK-ja dhe partitë opozitare, të cilat sipas mendimit tim, nuk janë armiqësore, kanë metodologji e qëllime të ndryshme, sipas mënyrës së jetës dhe pozitave ku ata u gjenden, por përparimi i shqiptarisë është qëllimi i përbashkët i të gjithave. Dhe ky qëllim mendoj që konstituon vëllazërinë unike të tyre.
Zëri i zemrave të nxënësve dhe studentëve që po zhyten në mjerimin edukativ, shkollor, të të sëmurëve pa ilaçe, të të rinjve që kanë përgatitë çantat e eksodit për kurbet, të kurbetçarëve që ndajnë kafshatën e gojës për të siguruar burimin kryesor jetësor në Kosovë - remintencat, të rrezikut shumë serioz nga kthetrat serbe, të cilat sot Karl Bildt i konfirmon që po afrohen fuqishëm. Këto le të shërbejnë si kambanë në ndërgjegjet e VV-së dhe LDK-së.

Këtij zëri i bashkohem edhe unë, njëri nga vëllezërit tuaj, bir i familjes që dha gjak, vjet burgimi, përkushtim të përhershëm, para, gjatë dhe pas luftës duke dhënë kontribut modest kombëtar, si mik i Ibrahim Rugovës, gjatë kohës së studimeve, njeriut që këto ditë sakrifikoi rehatinë materiale e psikologjike që aktivisht të kyçet aty ku ngurroi tërë jetën, në jetën politike, e cila për nga natyra, për zemrat e ndjeshme apo të ndërgjegjshme është me plot ferra e shqetësime turbulente mendore. U kyça në VV, duke respektuar rolin e të gjitha partive, me bindje që gjithmonë e ka shprehur zërin e vërtetë të popullit.

Zëri i të gjitha zemrave tona i thërret arsyes së të dy partive që të dalin nga istikamet e tyre të qëndrimeve të ngurta dhe të lëvizin më shpejtë se sa tik-taku i orës, që po afrohet dhe të takohen diku në mes. (VV ka lëvizur me alternativa të mundshme). Duke u groposur në një istikam apo ofertë rigjide, vritet marrëveshja. Por, zëri i arsyes dhe thirrjeve të popullit, le ti lëvizë kah pika e marrëveshjes që po e presim me aq investim të shpresave dhe besimit në këto dy parti.

Fuqia e zërit të zemrës së popullit, vëllezërve dhe motrave tuaja, le t’ju zhvendos nga ngurtësimi në istikamet e juaja, drejt mesit të pikëtakimit aty ku gjithmonë gjendet pika e marrëveshjes vëllazërore që gëzon shpresat që po zhyten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat