Lumezi kërkon efikasitet më të madh nga kryeprokurorët e prokurorive

Aktuale

Lumezi kërkon efikasitet më të madh nga kryeprokurorët e prokurorive

Më: 29 janar 2020 Në ora: 17:47
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, sot, në kolegjiumin e parë për 2020 me të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore në nivel vendi, ka kërkuar efikasitet më të madh në trajtimin e rasteve të korrupsionit, krimeve ekonomike, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurorët të kenë koordinim më të madh lidhur me bartjen e lëndëve nga prokuroritë Themelore në Prokurorinë Speciale dhe anasjelltas, si dhe intensifikimin e iniciativave për mbrojtjen e ligjshmërisë, pasi kjo tregon vendosmërinë e tyre në luftimin e veprave të ndryshme penale.   

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për përmirësimin e kushteve të punës në sistemin prokurorial, rritjen e numrit të prokurorëve nëpër prokurori, me theks të veçantë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. 

Lidhur me këtë, Lumezi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët që t’i identifikojnë prokurorët të cilët kanë treguar performancë të mirë, guxim dhe integritet të lartë, në mënyrë që të avancohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi që kjo prokurori duhet të forcohet me prokurorë të tjerë dhe të ketë efikasitet më të madh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat