Si ua ngriti kurthin Iran Badalli policëve që i shkuan në shtëpi pas thirrjes telefonike të vajzës

Aktuale

Si ua ngriti kurthin Iran Badalli policëve që i shkuan në shtëpi pas thirrjes telefonike të vajzës

Më: 29 janar 2020 Në ora: 18:33
Sami Thaqi

Po ushtronte dhunë ndaj fëmijëve të mitur, vajzës 7 vjeçe dhe djalit 11 vjeçar. Kur policia u nis për ta bastisur shtëpinë dhe arrestuar Iran Badallin në Zhur të Prizrenit, pas një thirrje telefonike nga vajza, ata u zunë në befasi. Irani, një person me dosje të trashë kriminale dyshohet se montoi eksplozivin në derën e hyrjes nga shpërthimi i të cilët mbeti i vrarë polici Sami Thaçi ndërsa një koleg i tij u lëndua rëndë.  Pa lëndime nuk shpëtoi as djali i Iranit. 

Media gjatë gjithë ditës së mërkurë, ka qëndruar në këtë fshat ku ka marrë rrëfimet e fshatarëve për Badallin dhe familjen e tij.

Ata kanë treguar se Iran Badalli para rreth tetë muajve ishte ndarë nga gruaja e tij me të cilën kishte tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Dy fëmijët vajza rreth 7 vjeçe si dhe djali 11-vjeçar kishin qenë duke jetuar me të atin në një shtëpi dykatëshe në fshatin Zhur të Prizrenit. Ndërkohë një fëmijë tjetër i çiftit, mashkull, rreth një vjeç kishte qenë me nënën e tij duke jetuar tek familja e saj në një fshat ngjitur me Zhurin.

Rreth orës 19:00 të 28 janarit, Irani kishte shkuar në shtëpinë e tij.  Aty kishte qenë djali dhe vajza e tij 7-vjeçare. Sipas  fqinjëve të Iranit ai vazhdimisht kishte ushtruar dhunë në dy fëmijët e mitur. Ishte vajza 7-vjeçare e të dyshuarit ajo e cila e kishte njoftuar policinë e Kosovës për dhunën që po e ushtronte ndaj tyre prindi i saj.

Pak minuta pas orës 20:00, pas thirrjes së pranuar nga vajza, zyrtarët e Policisë së Kosovës me dy vetura u nisën drejtë vendit të ngjarjes.

Në shtëpinë e vjetërsuar dy katesh në rrugën ‘Shaqir Zhuri’, të fshatit Zhur të Prizrenit, gjendeshin dy fëmijët e Iranit, të cilët nuk dilnin jashtë derës së dhomës së ndejës së asaj shtëpie.

Arsyeja e qëndrimit të tyre brenda shtëpisë kishte qenë e frikshme.

Në derën hyrëse të shtëpisë, Iran Badalli dyshohet se kishte montuar eksploziv që do të shpërthente porsa të hapej dera.

Drejt shtëpisë së Iran Badallit ishin nisur disa zyrtarë të njësitit të specializuar të Policisë së Kosovës.  Nga ta edhe Sami Thaçi e Artur Mrasori, bashkë me tre kolegë të tjerë.

Por në vendin e ngjarjes, derisa po tentonin që ta arrestonin të dyshuarin Iran Badalli, policët ranë në kurth – eksploziv, të cilin i dyshuari besohet se e kishte montuar në derën hyrëse të  shtëpisë së tij.

Nga shpërthimi u plagos rëndë Samiu si dhe kolegu i tij Arturi.

Thaçi nuk u mbijetoi plagëve, ai ndërroi jetë derisa po transportohej nga banorët e fshatit për në spitalin e Prizrenit.

Vëllai i tij, Adili, ka dhënë detaje për thirrjen që Samiu kishte marrë për  t’u nisur për aksionin e Zhurit.

Sipas familjarëve Samiu kishte qenë jashtë orarit të detyrës zyrtare kur edhe e kishte marrë thirrjen për t’u nisur në aksion.

“Tri-katër orë para ngjarjes kemi kontaktu me të për herë të fundit. Ka qenë në shtëpi, por e kanë thirrur jashtë orarit të punës për një aksion, bastisje a nuk e di se çka i kanë thënë”, thotë vëllai i policit të ndjerë.

 “Po e ndiejmë vetën më lehtë falë policisë e shokëve të tij të cilët nuk po na lenë vetëm. Samiu është një djalë i cili që kur i ka pasur 15 vjet ia ka kushtua jetën deri në fund Policisë së Kosovës”, rrëfehet vëllai i Samiut të ndjerë.

Sami Thaçi, ka lënë pas tre fëmijë dhe gruan.

Cila ishte e kaluara kriminale e familjes së Iranit i cili po ashtu dyshohet për vrasje?

Familja e Iran Badallit nga fshati Zhur i Prizrenit njihet për të kaluar kriminale. Babi i Iranit, kishte qenë i dënuar me burgim disa vjeçar gjatë viteve të 90’ta për vrasjen e gruas dhe babit të gruas.

Ai kishte qenë duke e vuajtur burgun në Dubravë, aty ku edhe u vra nga bombardimet serbe gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë.

Në një situatë të tillë Irani Badalli, ishte rritur i vetëm pa përkujdesjen e askujt.

“Mosvet njeri ka qenë ky Irani, komshiu jon. Vet u rritë jetim. Babin e ka pasë në burg se ia ka vra nanen edhe gjyshin (nga ana e nënës) ka qenë i dënuar në Dubravë. Por gjatë bombardimeve në kohën e luftës në Dubravë ai ka vdekë”, tregojnë fqinjët e Iranit.

Por, para rreth 12 viteve ai ishte martuar me një vajzë e cila jetonte afër fshatit Zhur. Me të kishte pasur tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

Por Irani, çdo herë kishte sjellë probleme në shtëpinë e tij. Konsumimi i alkoolit dhe lëndëve të tjera narkotike, tashmë ishte kthyer në shprehi për të.

Duke e parë gjithë këtë situatë, gjatë vitit 2019, pas dhunës fizike e psikike,  gruaja e tij vendos që të ndahet nga ai, duke e marrë pas vetës vetëm një fëmijë, djalin pak më të rritur se një vit.

Dy fëmijët e tjerë, vajza 7-vjecare e djali 11-vjecar po qëndronin në Zhur, me babin e tyre Iranin deri në mbrëmjen e 28 janarit të këtij viti.

Çka thonë fqinjët  për shpërthimin e mbrëmshëm?

Krisma e shpërthimit në shtëpinë e Iran Badallit ishte ndier thuajse në të gjithë fshatin Zhur. Nga eksplozivi i cili dyshohet se shpërtheu në dyert e shtëpisë së Iranit mbeti i vdekur një zyrtarë policor si dhe u lënduan edhe katër persona të tjerë. Por lëndime nga shpërthimi mori edhe djali 11-vjeçar i Iranit.

Bistrim Sopaj, banor i Zhurit ka treguar për Express se si e kishte dëgjuar krismën e shpërthimit.

“Isha tu qëndrua në shpi me fëmijët e ndjeva një zhurmë e dola jashtë, kur dola jashtë hipa në veturë. Kur dola më nalën Policia më thanë a mundesh qita fëmijë dërgoj në spital, i mora fëmijët e hipa në veturë edhe u nisa drejt spitalit”, thotë ai.

 Ndërkohë,  Xheladin Ajazaj, banor i Zhurit tregon se si vëllai i tij e kishte marrë me veturë policin tashmë të ndjerë dhe e kishte dërguar për në spitalin e Prizrenit.

 “Afër orës 21:00 e kemi ndi një eksploziv të madh, edhe pasi kemi dalë në oborre e pash vëllain në oborr e vëllai ka dalë në rrugë e ka ndi piskamën e policit tu thonë a ka burra kjo mahall edhe vëllau ka shku i ka pa tre policë të lënduam. E ka marrë njërin e ka dërguar në spital”, sqaron ai.

Ata tregojnë se policët kishin kërkuar ndihmë nga ta pas shpërthimit.

“Një polic ka thirrë “o ka burra kjo mahallë”. Kanë qenë tre polic, njëri i vdekur e dy të tjerë më rëndë”, thonë banorët. Ndërkohë që gjendja shëndetësore e njërit nga policët e lënduar është e rëndë. Ai gjendet duke u trajtuar në kujdesin Intensiv të QKUK’së.

I akuzuar për dhjetëra vepra penale, por Prokuroria e la të lirë të dyshuarin për vrasjen e policit në Zhur

Që nga viti 2013 kishte qenë i njohur për policinë. Banori i Zhurit të Prizrenit, Iran Badalli, u arrestua mbrëmjen e 28 janarit të këtij viti për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në rastin në Zhur ku ka mbetur i vdekur një polic e katër të tjerë janë plagosur. Por kush ishte Iran Badalli dhe për çka njihej ai.

Në data bazën e organeve të gjyqësorit në vend, Badalli njihet për të kaluar kriminale.

Ai në Gjykatën Themelore të Prizrenit është në proces gjyqësor për gati dhjetë vepra penale.

Për një nga to madje edhe i dënuar me gjashtë muaj burgim.

Dhunë në familje, vjedhje të shërbimeve komunale, vjedhje të pyllit, urdhër mbrojtje nga ai. Kanosje e vjedhje e rëndë, janë vetëm disa nga veprat me të cilat rëndohet i dyshuari për vrasjen e policit Sami Thaqi mbrëmë në Zhur.

Por ani se i akuzuar për shumë vepra, Badalli për vite me radhë shëtitej i lirë rrugëve të Prizrenit duke kanosur kështu edhe gruan dhe të tre fëmijët e tij.

Media përmes Gjykatës Themelore të Prizrenit ka siguruar të gjitha veprat penale me të cilat rëndohet Iran Badalli, i dyshuari për vrasjen e policit Sami Thaçit.

Në vazhdim iu sjellë disa nga to.

Nga data bazë e Gjykatës Themelor të Prizrenit, figurojnë këto të dhënave ndaj të akuzuarit  Iran Badallaj

 Urdhër mbrojtje për palën e mbrojtur e lëshuar me datën  05.08.2019. Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 13.08.2019 – lënda është aktive. Vjedhja e shërbimeve komunale e pranuar me datë 26.11.2019 – lënda është aktive. Vjedhje e shërbimeve komunale e pranuar me datë 11.12.2019 – lënda është aktive. Dhuna në familje e pranuar me datë 03.09.2019 – lënda është aktive, shqyrtimi i dytë është mbajtur 15.01.2020,seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 12.02.2020 ora 11:00. Vjedhje e pyllit e pranuar me datë 27.11.2019 – lënda është aktive. Kanosje e pranuar me datë 14.05.2018 – hudhet aktakuza. Vjedhje e rëndë e pranuar me datë 23.08.2018 – lënda është aktive. Vjedhje në bashkëkryerje  e pranuar me datë 21.10.2013 – dënim me burgim 6 (gjashtë) muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.

Badalli madje për shtatë vepra është aktiv, duke u gjykuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit.

Ai u arrestua mbrëmë. Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar një muaj paraburgim për të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat