Konjufca vazhdon me postin e kryeparlamentarit derisa të zgjidhet ministër

Aktuale

Konjufca vazhdon me postin e kryeparlamentarit derisa të zgjidhet ministër

Më: 3 shkurt 2020 Në ora: 15:27
Vjosa Osmani

Pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do të vazhdojë ta mbajë deri në momentin kur ai do votohet si ministër, i cili pritet të udhëheqë politikën e jashtme të Kosovës.

Kjo u bë e ditur sot nga deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila pritet të jetë kandidate për postin e të parit të Kuvendit të Kosovës.

Osmani: Konjufca do të largohet nga pozita vetës pasi të zgjidhet si ministër

“Sa i përket zotëri Konjufca,  ai do të largohet nga pozita vetëm pasi të zgjidhet  si ministër sipas dispozitave kushtetuese nuk ka nevojë në raste të tilla për dorëheqje, sepse automatikisht mandati i tij si deputet, rrjedhimisht si kryetar Kuvendi përfundon në momentin që votohet si anëtar i kabinetit qeverisës. Për momentin është akoma deputet dhe kryetar në detyrë nëse votohet si ministër dhe unë jam e bindur se do të votohet si ministër, pozita e tij mbetet vakante  dhe fillojnë procedurat e tjera”, tha Osmani.

Derisa u shpreh se për bashkëpunimin me Listën Serbe përgjigje më konkrete mund të japë mandatari për kryeministër Albin Kurti, deputetja e LDK-së tha se si qeveri do të  mbrojnë të gjitha interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Osmani: Do të jemi qeveri që mbron interesat e të gjitha etnive në Kosovë

“Dispozitat kushtetuese janë të qarta, pra edhe nëse ata nuk janë pjesë e koalicionit kanë të drejtë që të kenë ministrinë apo përfaqësuesin e tyre në kabinetin qytetar. Ajo që do të doja unë është që secili përfaqësues i komuniteteve jo shumicë, qofshin ata serbë apo komuniteteve tjera, ta shohin ditën e sotme si ditë ku përmes votës së tyre do të formojnë një qeveri, e cila më në fund do të mbrojë do të realizojë interesat e të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë, sepse ndihen si obligim kushtetues, detyrim qytetar e jo si qeveri që realizon projekte për shkak të pazareve politike. Pra, ne synojmë që të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë të ndihen të barabarta”, tha ajo.

Osmani foli edhe për  diskutimet që po bëhen në Kuvendin e Kosovës në seancën ku pritet të votohet Qeveria e re e Kosovës. Ajo tha se opozita e re e përbërë kryesisht nga ish-PAN-i, ka marrë një detyrë që të hutojë qytetarët përmes siç u shpreh ajo, propagandës.

Osmani: Opozita përmes propagandës po krijon huti te qytetarët

“Ata kanë marrë një detyrë për të krijuar një huti te qytetarët përmes propagandës, por detyrën në të cilën absolutisht do të dështojnë. Çka është me rendësi për secilin prej nesh që kemi fituar mandat qytetar për ndryshimin e madh pozitiv në këtë vend është që sot të kemi votim të suksesshëm të qeverisë së Kosovës, i cili do të jetësojë vullnetin qytetar “, tha ajo.

Në fund deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani u shpreh e lumtur që një pjesë e madhe e programit qeverisës së prezantuar nga Kurti është hartuar nga LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat