Si dërgua gazi lotsjellës nga Kosova në Shqipëri? Tregon drejtori i Policisë

Aktuale

Si dërgua gazi lotsjellës nga Kosova në Shqipëri? Tregon drejtori i Policisë

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 20:35
Rashit Qalaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, tha se raportimet në media ku thuhej se ai ka bërë marrëveshje sekrete me Shqipërinë dhe ua ka dhënë gazin lotsjellës me të cilin ishin sulmuar protestuesit atje, janë pjesë e fushatës kundër tij.

Ai  ka thënë se marrëveshja ka qenë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Jashtme të Kosovës.

“Në media është folur që ka qenë marrëveshje sekrete e Rashit Qalaj me policinë e Shqipërisë por për hir të sqarimit të opinionit publik më lejoni të ju njoftoj që Policia e Kosovës ka marrëveshje me shumë polici në botë, ne i kemi 93 marrëveshje me 19 shtete dhe kemi marrëveshje edhe me institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Me Shqipërinë bashkëpunojmë në baza ditore qe një kohë shumë të gjatë. Çdo incident serioz që është në Kosovë apo në Shqipëri kemi bashkëpunim. Këto kritika nuk kanë të bëjë fare me marrëveshjen por kanë qenë fushatë në adresë timen meqenëse është duke ndodhur tranzicioni i pushtetit. Unë dua të ju informoj që realizimi i marrëveshjes ka qenë proceduralisht në rregull”, ka thënë ai.

Ai thotë se marrëveshja ka qenë proceduralisht në rregull.

“Kolegët nga Policia e Shqipërisë kanë kontaktuar Ministrinë e Brendshme që t’ua huazojmë 500 granata gaz në një periudhë kohore të shkurt. Ministri i Brendshëm Ekrem Mustafa ia ka dërguar shkresën ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, pastaj ajo shkresë ka ardhur tek ne, ne e kemi shqyrtuar. Zyra ligjore e ka shqyrtuar në tersi dhe kanë thënë se marrëveshja është në rregull dhe bën të nënshkruhet”, ka thënë ai.

Ai thotë se kanë kontaktuar edhe prodhuesin e gazit lotsjellës përmes Ambasadës franceze, dhe ata kanë thënë se mund t’ua dërgojnë.

Qalaj thotë se ai gaz është blerë për nevoja të Policisë së Kosovës.

Ai thotë se nuk e di nëse ato janë përdorur në protesta të opozitës në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat