Konjufca vazhdon takimet me ambasadorë, kërkon forcim të mbështetjes për Kosovën

Aktuale

Konjufca vazhdon takimet me ambasadorë, kërkon forcim të mbështetjes për Kosovën

Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 21:58
Foto nga takimi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së enjte, ka zhvilluar takime të ndara me ambasadorë të katër vendeve evropiane, me të cilët shefi i diplomacisë kosovare bisedoi për zhvillimet e fundit politike, ndryshimet që do të sjellë qeveria e re për të përmirësuar qeverisjen, marrëdhëniet dypalëshe dhe thellimin e raporteve me interes të ndërsjellë.

Konjufca është takuar me ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel; pastaj me shefin e Misionit të Belgjikës, ambasadorin Jean-Louis Servais; me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl; dhe ambasadoren e Holandës, Gerrie Willems, prej të cilëve ka marrë urime për pozitën e re.

Ai ka falënderuar ambasadorët për përkrahjen e pakursyer që vendet e tyre i kanë ofruar Kosovës në vazhdimësi, por njëherësh ka kërkuar që kjo përkrahje të forcohet edhe më shumë, duke mbështetur projektet e ngecura, si dhe proceset integruese të shtetit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Gjatë këtyre takimeve, Konjufca ka kërkuar po ashtu që shtetet evropiane të mbështesin dhe nxitin futjen sa më parë në rend të ditës të çështjes së liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, si një e drejtë e lëvizje së lirë, e vonuar për këtë pjesë të Evropës.

Ministri i Punëve të Jashtme, gjatë ditës është takuar edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen në demokratizimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat