Eksperti i sigurisë vjen me një analizë dhe mesazh të fortë për Kosovën, ja sfidat kryesore që e presin vendin

Aktuale

Eksperti i sigurisë vjen me një analizë dhe mesazh të fortë për Kosovën, ja sfidat kryesore që e presin vendin

Nga: N.H Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 16:06
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

17 shkurt 2020 shënon ditën kur Republika e Kosovës mbush plotë dymbëdhjetë vjet, prej kur është shpallur, shtet i pavarur.

Kosova përgjatë këtyre dymbëdhjetë viteve është përballur me sfida nga më të ndryshmet, të cilat padyshim që do të mbesin në kujtesën e qytetarëve.

Përkundër shpresave të mëdha, edhe ky dymbëdhjetë vjetor i pavarësisë e gjen njëjtë, e zymtë sikurse edhe në vitet e mëparshme. Qytetarët vazhdojnë të mbesin pa liberalizim të vizave në zonën Shengen, gjersa Bashkimi Evropian nuk duket i qartë në strategjinë për integrimin e Kosovës.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë mund të konkludohet se sektori i sigurisë ka pësuar ndryshime duke kaluar fazën e tranzicionit nga UNMIK-u te institucionet e Kosovës nën një mandatë mbikëqyrës nga ana e misionit evropian EULEX, dhe e cila e ka përmbyllur me sukses këtë faze të tranzicionit të konsolidimit të institucioneve të sigurisë duke përfshirë Policinë, Doganën, FSK-në dhe AKI-në.

“Institucionet dhe gjendja e sigurisë në Kosovë ishte e sfiduar si në aspektin e brendshëm, por edhe të jashtëm me theks të veçantë nga ana e shtetit të Serbisë përmes strukturave të saja paralele të vendosur dhe të riaktivizuar sipas nevojës së politikes se Beogradit në Kosovë”, ka thënë ai.

Eksperti Shala me tej është shprehur se në luftën për të mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit, suksesi i atribuohet ndërveprimit institucional në mese Agjencionit Kosovarë të Inteligjencës dhe Policisë se Kosovës, të cilët ishin pjesë e frontit të parë në luftimin dhe garantimin e stabilitetit të Republikës së Kosovës, ndaj të cilës sipas Shalës ka pasur tentime për të cenuar nga individ, grupe kriminale, dhe me theks të veçantë të atyre që janë të ndërlidhur më strukturat e shtetit të Serbisë.

“Pra, organet e sigurisë disa here kanë arritur që të shtrinë autoritetin e saj në pjesën veriore të Kosovës duke i neutralizuar veprimet kriminale në atë pjesë dhe duke e kontrolluar dhe monitoruar atë në vazhdimësi, por njëherit kanë treguar suksese edhe në luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit fetar me të cilën ishte përballur Kosova që nga 2014-të e tutje, duke u bërë partner në luftimin e terrorizmit pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja”, tha eksperti i sigurisë, për gazetën “Bota sot”.

Ai ka shpjeguar gjithashtu se si Kosova arriti gjatë këtyre viteve ta përmbyllë e fazën e tranzicionit dhe arritjes së kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ndërsa me përmbylljen e fazës së tranzicionit dhe arritjes se kapaciteteve të plota të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), sipas raportit zyrtar nga ana e mekanizmave të sigurisë ndërkombëtar DIRI (Nisma për Reformën e Institucionit të Mbrojtjes), dhe ODC (Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes) së Shteteve të Bashkuar të Amerikës si dhe NALT (NATO Advisory and Liaison Team), dhe miratimit të pakos ligjore Kosova arriti që të përmbyllë arkitekturën e sigurisë me zgjerimin e mandatit dhe autorizimeve që i kishte deri në atë kohë FSK-ja. Sfidat që e pret kjo dekadë Kosovën mund të themi që do jetë lufta kundër terrorizmit, krimit të organizuar të mbështetur nga strukturat të sigurisë jo mike të Kosovës”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, Shala ka nënvizuar se sfidat kryesore të Kosovës në aspektin e fushës së policisë do jenë anëtarësimi i Kosovës në SEE, SECI dhe INTERPOL.

“Në aspektin e mbrojtjes mund të themi do jete anëtarësimi i plotë i Kosovës në mekanizma rajonal në A5 që të bëhet A6 (Kartën e Adriatikut), Qendra Trajnuese për Përkrahjen e Operacioneve Paqësore (PSOTC), Qendra për Asistim në Implementim dhe Verifikim të Kontrollit Rajonal të Armëve (RACVIAC ) si dhe në SEDM. Synimi primar do të jetë anëtarësimi i FSK-së në NATO. Në aspektin e fushës së policisë do jetë anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat siç janë PCC SEE – Konventa e Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, SECI – Iniciativa e Evropës Juglindore për Bashkëpunim, dhe me theks të veçantë në INTERPOL. Sfida kryesore do të jete depolitizomi i sektorit të sigurisë si dhe përmbyllja e procesit të Vettingut sipas kritereve dhe kushteve nga bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ve”, ka thënë krejt në fund, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat