Gashi: Reciprociteti me Serbinë do të jetë gradual

Aktuale

Gashi: Reciprociteti me Serbinë do të jetë gradual

Më: 18 shkurt 2020 Në ora: 10:18
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Largimi i tarifës 100 përqind ndaj Serbisë do të jetë çështje ditësh dhe do të vendoset reciprociteti. Këto masa reciproke do të jenë graduale, por totale.

Kështu u tha sot nga dy partitë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, në tryezën e diskutimit që Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar sot me temën  “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi tha se qeveria e re duhet t’i qaset me seriozitet dhe parime të qarta dialogut me Serbinë.

Sipas tij, kërkesa për interesat e Kosovës janë të panegociueshme.

“Është një moment i favorshëm për Kosovën që të vendosen disa parime. Në këtë dialogu nuk mund të ketë marrëveshje pa u dialogu dhe shqyrtu secila rrethanë. Nuk besojmë se problemet e komplikuara bëhen me zgjidhje të thjeshta dhe përshpejtuara”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ishte më i qartë në largimin e tarifës ndaj Serbisë, ku tha se masat reciproke do të vendosen ndaj shtetit fqinjë, por duhet të jenë të kujdesshme që mos të pengojnë rifillimin e dialogut.

Ai tha se masat e reciprocitetit nuk mund të jetë tërësisht të menjëhershme, pasi janë komplekse, do të jenë graduale dhe totale.

“Ne si koalicion qeverisës po tentojmë që të largojmë tarifën për t’i dhënë shansë bashkësisë ndërkombëtarë të fasilitojë dialogun me Serbinë. Ne kemi kërkesat për vendosjen e reciprocitetit, por që kjo mos të pengojë dialogun me Serbinë. Pas heqjes së tarifës, ne do t’i japim shansë dialogut, i cili duhet të përgatitët mirë dhe me opozitën brenda”, tha ai.

Kundërshtues ndaj këtyre deklaratave u shpreh shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, cili theksoi se në tavolinën e diskutimeve me Serbinë duhet të shkohet vetëm me njohje reciproke.

Skeptik për masat e reciprocitet u shpreh edhe deputeti i Nismës, Haxhi Shala.

***

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat